‘Newco Ferronikeli’ ndal përkohësisht prodhimin

03 nëntor 2023 | 14:31

Menaxhmenti kompanisë “NewCo Ferronikeli” ka njoftuar se fabrika ka ndalur përkohësisht prodhimin.

Menaxhimeti ka thënë se nga dita e parë e daljes në prodhim, kompania është duke u dëmtuar rëndë nga kostot e larta të prodhimit dhe skontimet e larta në tregun e metaleve.

Sipas kësaj kompanie,  kjo krizë vjen si rezultat i çmimeve të ulëta në tregun botëror të nikelit dhe rrezikut nga një recesion për mallrat që parashikohet për vitin 2024.

“Të gjithë këta faktorë, kompaninë tonë e sjellin para një situate ku ne detyrohemi të marrim vendimin për ndërprerjen e përkohshme të prodhimit deri në një njoftim të dytë. Megjithatë, përkundër krizave të papërballueshme për ta vazhduar procesin e prodhimit, kompania bashkë me punonjësit e saj do të gjejnë zgjidhje që kjo periudhë e vështirë të mos i dëmtojë 1 000 punonjësit e saj”, ka njoftuar kompania.

Ndërkohë, gjatë kësaj kohe “NewCo Ferronikeli” ka thënë se do të angazhohet për zhvillimin e projekteve që e ulin koston e prodhimit në fabrike si dhe do ta rinovojë teknologjinë me qëllim të rritjes së efiçiencës, për të qenë sa më e gatshme për rinisjen e prodhimit në të ardhmen.

“Ne kemi besim të palëkundur te kompania jonë ‘NewCo Ferronikeli’, te perspektiva premtuese e nikelit, si dhe jemi të përkushtuar për ta vazhduar prodhimin në momentin që krijohet një klimë më e favorshme për industrinë tonë”, ka njoftuar “Newco Ferronikeli”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti amerikan i Shtetit ka vendosur në listën e sanksioneve…