Pjesëtarët e Njësisë Elitare sërish protestojnë sot

07 nëntor 2023 | 08:38

Edhe pse dje u kërcënuan nga një toger, pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë së Kosovës sërish sot do të ‘parakalojnë’ në shenjë proteste para objektit të Qeverisë së Kosovës. Shkrimet në Facebook të kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për kushtet e mira të këtij njësiti, duket se nuk ua kanë mbushur mendjen policëve specialë.

Prandaj, Njësia Speciale Intervenuese pritet që edhe sot të protestojë para objektit të qeverisë, me kërkesat e njëjta si të 1 nëntorit që ndërlidhen me shtesat e rrezikshmërisë dhe të tjera.

Protesta do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:30

Protesta mbahet pavarësisht se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkurën se nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet, pasi dy njësi speciale policore protestuan para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës të martën e javës së kaluar, duke kërkuar rritje të shtesave për rrezikshmërinë në punë , duke nënkuptuar që rritja e shtesave nuk është opsion i qeverisë.

Tutje, në reagimin e tij, Kurti tha se secili pjesëtar i NjSI ka vlerë prej afër 10 mijë eurosh, fjali e cila u kritika shumë nga opinioni publik dhe opozita.

Më pas, Kurti përmendi se sivjet pagat e Njësisë Speciale Intervenuese shkuan deri mbi 2 mijë e 200 euro, duke mos përmendur se këtë vit pati shumë më shumë tensione në veri dhe që pagesa për Njësia Intervenuese Speciale kishte shkuar në atë nivel për shkak të punës jashtë orarit.

Madje Kurti ka shkruar se 203 zyrtarë policorë këtë vit patën të ardhura më të larta se presidentja e vendit.

“Nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”, thuhet në statusin e kryeministrit.

Në të njëjtë frymë ishte edhe reagimi i Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Edhe për Sveçlën, Kosova nuk ka mundësi për rritje më të madhe të shtesave të rrezikshmërisë në vendin e punës për NJSI-në.

Sveçla ka thënë se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë, duke shtuar se ky vend është themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz.

“Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës. Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre. Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”, ka shkruar Sveçla në Facebook.

Edhe ai tha se kjo qeveri ka investuar në Policinë e Kosovës.

“Nga marrja e mandatit, deri në votimin e buxhetit për vitin 2024, kemi rritje për mbi 30% në buxhetin total të Policisë, përderisa, në investimet kapitale kemi rritje për 300%. Nga viti 2021, buxheti për pajisje operacionale është 21-fishuar. Në vitin 2021, buxheti ka qenë më pak se gjysmë milioni për pajisje operacionale ndërsa këtë vit është mbi 9 milionë euro”, ka vijuar Sveçla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Profesori në Universitetin “Johns Hopkins” në Uashington, Edward Joseph, ka…