Rama: Shqipëria mbështet thirrjen e Bidenit për një pauzë humanitare në Gaza

07 nëntor 2023 | 11:29

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë thirrje për një armëpushim në Gaza.

Në njëmujorin e fillimit të kësaj lufte, kryeministri shqiptar ka thënë së Shqipëria mbështet thirrjen e presidentit Biden për një pauzë humanitare.

Në platformën “X”, Rama ka shkruar se duhet të ndodh lirimi i pakushtëzuar i të gjitha pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

“Ndërsa qëndrojmë me vendosmëri me Izraelin kundër Hamasit, ne jemi gjithashtu shumë të shqetësuar për vuajtjet e civilëve dhe shkatërrimin në Gaza. Është thelbësore t’i jepet fund këtij konflikti përpara se ai të përshkallëzohet më tej dhe të dalë jashtë kontrollit. Shqipëria mbështet thirrjen e presidentit Biden për një pauzë humanitare në armiqësitë. Në këmbim të një armëpushimi të menjëhershëm, Liga Arabe dhe Turqia duhet të sigurojnë lirimin e pakushtëzuar dhe të sigurt të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Liga Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës.

“Pas krimeve të tmerrshme të kryera më 7 tetor, nuk mund të ketë të ardhme politike për Hamasin. Sipas një mandati të OKB-së, një forcë ndërkombëtare e udhëhequr nga Liga Arabe mund të marrë përkohësisht kontrollin e Gazës, duke lehtësuar një kalim të përgjegjësive qeverisëse nga Hamasi te Autoriteti Palestinez. Së shpejti do të bashkohem me liderët e tjerë botërorë në Forumin e Paqes në Paris, ku do të diskutojmë mënyrat për rivendosjen e paqes në Lindjen e Mesme”, ka shkruar Rama.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vesa Vllasaliu ka lëshuar akuza të njëpasnjëshme mbrëmë për ish…