Dedaj pyetet nga mbrojtja e Thaçit për Mehmet Hajrizin, Gani Krasniqin, Gani Kocin dhe Veton Surroin

07 nëntor 2023 | 13:56

Pas përfundimit të pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuara kundërpyetjet për dëshmitarin Gjergj Dedaj i ka filluar mbrojtja e Hashim Thaçit përmes avokatit, Luka Misetiq.

Me fillim avokati Misetiq pyeti Gjergj Dedajn për disa persona siç është Mehmet Hajrizi.

“Nuk e di datën, por e di se disa struktura disa individë janë largu nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Dedaj duke u përgjigjur në pyetjen për Mehmet Hajrizin.

Dedaj është pyetur edhe për persona si Gani Krasniqi, Gani Koci dhe Veton Surroin.

“Ka pas individë që janë largu nga Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK). Edhe ai (Gani Krasniqi) si duket është largu nga strukturat e LDK-së. E kam thanë dhe jam i bindur se (Gani Koci) ka dal nga strukturat e LDK-së dhe domethënë ka kaluar në UÇK. (Veton Surroi) nuk ka qenë anëtar i LDK-së, ai ka pas një lëvizje ku i di edhe ka qenë më shumë i shoqërisë civile”, ka thënë Dedaj.

Brenda strukturave të LDK-së, Dedaj ka thënë se ka pasur përçarje edhe para daljes së UÇK-së në skenë.

“Ka pasur përparje se një pjesë e individëve mendonte se nuk mund të zgjidhet çështja e Kosovës vetëm me konferenca shtypi, domethënë vetëm me paraqitje politike publike por duhet pasur një organizim aktiv dhe me daljen në skenë të UÇK-së në nëntor të vitit ’97 situata ka ndryshuar shumë në terren”, ka thënë Dedaj.

Ndryshe, avokati Misetiq ka thënë se marrja në pyetje e këtij dëshmitari nga ana e tij do të zgjasë edhe gjatë paradites së nesërme. /Betimi për drejtësi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fitorja është opsioni i vetëm për Milanin në ballafaqimin e…