Selimi kritikon Kurtin dhe LV-në për Asociacionin: Ia humbën 10 vjet Kosovës

08 nëntor 2023 | 12:23

Ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje në lidhje me qëndrimet e për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Selimi ka shkruar në “X” se kryeministri nuk po është duke e thënë të vërtetën kur është duke folur për çështjen e Asociacionit.

Ai ka thënë se asnjë qeveri paraprake nuk ka hartuar ndonjë draft-statut për Asociacionin, por vetëm dokumente legale që definonin kompetencat.

“Këmbëngulja për të nënshkruar një marrëveshje për një statut me Serbinë nuk është e zgjuar. Ky është dokument i brendshëm dhe çështje e brendshme për Kosovën. Mos e bëni Serbinë një palë të interesit ligjërisht për çështjet që lidhen me statutin e ASMM. Përqendrohuni në rregullimin e marrëdhënieve dypalëshe të prishura me aleatët tanë kryesorë perëndimorë”, ka shkruar Selimi.

Më tutje, Selimi ka kritikuar Vetëvendosjen, e cila sipas tij ia ka humbur Kosovës dhjetë vjet.

“LV-ja e humbi Kosovën 10 vjet pasi nuk ka marrë as marrëveshje më të mirë e as më të keqe se ajo që ishte në tryezë një dekadë më parë. Vetëm gjeopolitika është më e ashpër tani dhe Kosova humbi mundësi, kohë, burime, gjak në rrugë. Duke u thënë kështu, jam pesimist se kjo marrëveshje do të realizohet”, ka shkruar Selimi.

​Sipas Selimit, Asociacioni nuk ishte zbulim i qeverive të kaluara, por një obligim i përmendur së pari në raportin e Kai Aides, i dërguar i OKB-së, i cili e kishte hartuar raportin për plotësimin e standardeve para statusit.

“Asociacioni nuk ishte shpikje e qeverive të mëparshme. Është një mjet i përmendur në raportin e OKB-së të Kai Eide 2005, plani i Ahtisaarit 2007 dhe është një instrument ligjor. Statuti i ASMM-së do të ndjekë këshillat e vjetra të BE-së/ShBA-së për mungesën e degës ekzekutive, vlerësimin e garantuar të kushtetutës nga Kosova, etj.”, ka shkruar Selimi, duke shtuar se marrëveshja Kosovë-Serbi “ndoshta nuk do të realizohet”.

“Marrëveshja ndoshta nuk do të realizohet sepse Vuçiqi po bën gjithçka (për fat të keq, me sukses) për ta futur Kosovën në status-quo, dhe kjo qeveri e Kosovës nuk është serioze, ka pak besim me aleatët dhe ka keqmenaxhuar shtrirjen dhe dialogun diplomatik”, është shprehur Selimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut…