Spektakël hendbolli sonte në Rahovec

09 nëntor 2023 | 14:00

Spektakël i hendbollit premtohet të jetë ndeshja në mes të Rahovecit dhe Besa Famgasit. Kjo ndeshje luhet të enjten prej orës 19:00 në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec.

Numri i shikuesve pritet të jetë i madh, ndërsa nuk do të mungojë loja e fortë dhe atraktive nga fillimi e deri në fund. Rahoveci – Besa Famgas është ndeshje e mbetur e xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll. Ndeshja ishte shtyrë për shkak të angazhimeve të skuadrës pejane në gara evropiane. Besa Famgas është kampione në fuqi dhe pretendente e vazhdueshme për trofe. Por këtë edicion titullin e kampionit e kërkon edhe Rahoveci, që ka bërë ndryshime të mëdha në përbërje, duke u forcuar shumë.

Rahoveci është ngritur vazhdimisht në vitet e fundit dhe këtë synon ta dëshmojë ndaj skuadrës më të mirë të dekadave të fundit në hendbollin e Kosovës. Asnjëra skuadër nuk ka pësuar humbje deri më tani.

Rahoveci ka pesë fitore, ndërsa Besa Famgas ka fituar katër ndeshjet e deritashme. Superderbi pritet të japë sinjale për forcën e vërtetë të dy skuadrave në këtë edicion. Besa, po ashtu, ka bërë ndryshime të mëdha, ndërsa tashmë ka fituar Superkupën e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Motrat Marigona e Arlinda Hajdari janë prej lojtareve kryesore të…