Maas: Diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara

31 gusht 2018 | 15:32

Gjermania ka tërhequr vërejtjen të premten se rivizatimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të nxisë tensionet etnike.

 Në hapje të takimit ndërmjet ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian me ata të vendeve kandidate për anëtarësim në Vjenë, ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka deklaruar se diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara.

 “Ne besojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra dhe së këndejmi jemi shumë skeptikë”, ka thënë Maas.

 Edhe disa nga ministrat e tjerë të jashtëm të vendeve të BE-së janë shprehur kundër ndryshimit të kufijve.

 Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, ka shfaqur drojën për “pasojat shumë negative, ndërsa shefi i diplomacisë finlandeze, Timo Soini, ka deklaruar se kjo do të ishte e rrezikshme.

 Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, ka deklaruar se “ndryshimet e kufijve gjithnjë kanë krijuar probleme të reja”.

 Edhe Britania e Madhe ka tërhequr vërejtjen se shkëmbimi i territoreve do të ishte destabilizues.

 Ministrat e Jashtëm mbështetën ndërkaq vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat pritet të vazhdojnë më 7 shtator.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i ofrojnë…