KMDLNj: Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies në dialog do ta përshkallëzojë situatën në Kosovë

13 nëntor 2023 | 12:40

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka theksuar se bisedimet me Serbinë kanë hyrë në fazën e një transparence të munguar nga kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij.

Sipas KMDLNj-së qytetarët po dezinformohen kryesisht nga mediet vendore dhe ato ndërkombëtare për zhvillimet që janë përcaktuese për fatin e tyre.

“Në emër të ruajtjes së konfidencialitetit që të mos dëmtohet procesi, politikanët vendorë (një numër i vogël i tyre) u shesin mjegull qytetarëve të Kosovës duke i lënë në terr informativ dhe duke ngritur spekulime të ndryshme (në mungesë të informatave janë të arsyeshme) sidomos për Asociacionin e komunave serbe që në mënyrë ultimative po kërkojnë ndërkombëtarët të formohet. Në veçanti ka zgjuar kurreshtje propozimi i pesëshes ndërkombëtare që i lanë KM të Kosovës mbi tavolinë pa zbuluar fare përmbajtjen apo duke bërë përpjekje ta mbështjellin me një mbështjellës kushtetues e që as për së afërmi i plotëson nevojat e qytetarëve për t’u informuar për këto zhvillime”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, kryeministri Albin Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve, me një retorikë manipulative vetëm sa e bënë më të errët dhe me të panjohur këtë dokument.

“Ndërkaq, ambasadorët që vrajnë e kthjellin në Kosovës ‘sigurojnë’ se ky propozim qenka në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës duke bërë presion, në anën tjetër që i njëjti mos të bëhet publik deri në një moment të përshtatshëm. E drejta për t’u informuar është e drejtë elementare e njeriut kurse të zgjedhurit e popullit apo të emëruarit kanë detyrim ligjor të jenë transparent dhe llogaridhënës e që nuk po e bëjnë, as të parën e as të dytën. Për KMDLNj-në është sa befasuese aq edhe e papranueshme që edhe opozita është bërë kontribuese e territ informativ pas takimit që kishin me Lajçakun në Prishtinë në vend se të këmbëngulë që KM i Kosovës të mos e lëshojë sallën e Kuvendit pa e treguar përmbajtjen e propozimit”, është thënë në këtë reagim të KMDLNj-së, duke shtuar se: “Në opinion doli një version jozyrtar i propozimit e që ngjalli shumë dilema dhe pakënaqësi. Për faktin se ky propozim po mbahet larg syve të opinionit publik lë të kuptohet se gjërat nuk janë ashtu si deklarohen dhe se po bëhen përpjekje të blihet kohë duke përdorur në ndërkohë mjete për ta relativizuar këtë pakënaqësi. KMDLNj e përkujton opinionin se të gjithë akterët politikë dhe jopolitik që janë pjesë e këtij terri informativ në mënyrë flagrante po i shkelin të drejtat e njeriut dhe se do t’i bartin pasojat elektorale por edhe ligjore në një kohë të përshtatshme”.

Sipas KMDLNj-së me fshehjen e informatave që janë me rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët e Kosovës në mënyrë të vetëdijshme apo nën një kërcënim nga ndërkombëtarët ata po kontribuojnë në përshkallëzim të situatës së sigurisë për faktin se mund dhe do të ketë kundërshtim të organizuar të qytetarëve sikur që na mëson e kaluara. Pasojat e këtij përshkallëzimi pa asnjë dyshim do t’i bartin “kalorësit e territ informativ”.

“Ndërkombëtarët, që nga fillimi kanë deklaruar se transparenca dhe llogaridhënia janë pjesë e rëndësishme dhe e pazëvendësueshme e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut ndërsa tani, për shkak të një oportuniteti politik e kanë futur kokën në rërë, madje po bëjnë presion mbi klasën e paemancipuar mjaftueshëm politikisht të Kosovës”, është thënë ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Philadelphia korri fitoren e tetë radhazi, duke mundur me rezultat…