Hashim Thaçi nuk ka dashur ta zbatojë Asociacionin, e ka zhvlerësuar dhe shtyrë me dy lëvizje

13 nëntor 2023 | 21:20

Profesori universitar Milazim Krasniqi ka thënë se nga gjendja e sotme e Draft-Statutit që formon autonomi serbe në Kosovë, ka këtë hipotezë: “edhe pse ka nënshkruar një marrëveshje më 2013, Hashim Thaçi nuk ka dashur ta zbatojë Asociacionin. E ka zhvlerësuar dhe shtyrë me dy lëvizje: me idenë e shkëmbimit të territoreve dhe me fuqizimin e protestave të LVV. Shkëmbimi nuk ka pasur asnjë shans, sepse mund të shndërrohej në ortek në Ballkan. Ndërsa protestat e LVV penguan formimin e Asociacionit. Pra, mund të jetë kjo arsyeja e asaj tolerance të tepruar të Thaçit dhe institucioneve ligjzbatuese ndaj protestave të LVV, me të cilat u pengua formimi i Asociacionit. Meqë LVV u fuqizua me atë refuzim, i fitoi zgjedhjet, për t’i mbetur në dorë patatja e nxehtë e Asociacionit. Nëse tash e zbaton, do t’i mbetet përgjegjësia historike për zhbërjen e karakterit unitar të shtetit të Kosovës. Thaçi nuk do ta bënte kurrë”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.

Ai ka theksuar tutje se me gjasë për atë arsye, ai bashkë me Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, si eksponentët më të fortë të politikës çlirimtare-nacionale, u eliminuan nga skena e nga vendimmarrja politike.

“Të shohim çfarë do të bëjë tash Kurti me pataten e nxehtë të Asociacionit-autonomisë së serbëve. Kurti ka problem të madh, sepse nuk mund të llogaritë në projekte alternative, (si shkëmbimi) e as në ndonjë lëvizje kundërshtuese të fortë të opozitës, meqë fitorja e tij me 50% e ka lënë vendin pa opozitë të fortë. Tash për tash, Kurti po e refuzon zbatimin e Asociacionit me çështjen e nënshkrimit të marrëveshjes bazë. Moralisht ka të drejtë. Por, a do t’ia dalë të rezistojë deri në fund, përballë gjithë atij presioni abnormal? Kjo thjesht nuk mund të parashihet”, ka pohuar Krasniqi.

Sipas tij, nëse nuk reziston, karakteri unitar i shtetit tonë ndryshon pakthyeshëm, realisht Kosova bosnizohet, ndërsa në perspektivë historike, përgjegjësia do t’i faturohej LVV-së dhe Kurtit, ndoshta deri në nivel të akuzës për tradhti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat izraelite kanë arritur të marrin nën kontroll godinën e…