Zbrazet veriu i Gazës, përkeqësohet kriza humanitare në jug

14 nëntor 2023 | 11:11

Edhe 200.000 persona janë larguar nga veriu i Gazës që nga 5 nëntori, tha Zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara, përderisa forcat izraelite po vazhdojnë përleshjet me luftëtarët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – rreth spitaleve, ku pacientët, foshnjat dhe punëtorët shëndetësorë kanë mbetur pa rrymë e me pak furnizime.

Zyra humanitare e OKB-së, e njohur si OCHA, tha se vetëm një spital në veri është në gjendje që të pranojë pacientë.

Të gjitha spitalet e tjera më nuk janë funksionale dhe shumica shërbejnë si vendstrehim, përfshirë edhe spitalin më të madh të Gazës, Shifa, i cili është i rrethuar nga trupat izraelite.

Në këtë spital, 36 foshnja janë në rrezik që të vdesin pasi nuk ka energji elektrike për funksionalizimin e inkubatorëve, raporton Rel.

Lufta, që tani është në javën e gjashtë, u nxit nga sulmet befasuese të Hamasit në Izrael më 7 tetor. Hamasi vrau të paktën 1.200 persona dhe mori afër 240 pengje. Izraeli është kundërpërgjigjur ashpër me sulme ajrore dhe tokësore në veri të Gazës. Si pasojë e luftës janë vrarë mijëra civilë palestinezë.

Izraeli u ka bërë thirrje civilëve që të largohen nga veriu i qytetit të Gazës për në jug. Por, as pjesa jugore nuk është e sigurt, pasi atje Izraeli po kryen sulme ajrore.

Vendstrehimet e udhëhequra nga OKB-ja janë të stërmbushura dhe një tualet mesatarisht është për 160 persona.

Në të gjitha vendstrehimet janë afër 1.5 milion palestinez, apo më shumë se dy e treta e popullsisë së Gazës, të cilët janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, në…