32.72 për qind e punëtorëve në Kosovë do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm

15 nëntor 2023 | 15:45

Bizneset kanë raportuar se 17.59 për qind e punonjësve të tyre veçse i kanë informuar se do të emigrojnë vitin e ardhshëm. Ndërkaq vlerësimet e bizneseve janë se rreth 32.72 për qind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm, kur pritet të liberalizohen vizat për në zonën Schengen. Kështu është thënë në Forumin Ekonomik vjetor të organizuar nga Instituti “Riinvest”, me rastin e prezantimit të raportit “Një model i ri për rritjen e qëndrueshme ekonomike”

 

Instituti “Riinvest ka organizuar të mërkurën Forumin Ekonomik vjetor, me ç’rast ka prezantuar edhe raportin “Një model i ri për rritjen e qëndrueshme ekonomike”, ku u paraqitën trendet kryesore ekonomike si dhe u adresuan sfidat e sektorit privat.

Raporti është i ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë trajtohet ecuria e rritjes ekonomike përgjatë disa viteve të fundit dhe atë në kontekstin e konfiguracionit makroekonomik të Kosovës të karakterizuar me shpërpjesëtime të shprehura veçanërisht me papunësinë e lartë dhe deficitin tepër të lartë tregtar të Kosovës.

Në pjesën e dytë adresohet mjedisi biznesor në Kosovë dhe refleksionet e tij në situatën ekonomike sivjet dhe vitin e ardhshëm. Ndërkaq në pjesën e tretë është tema qendrore e këtij raporti, që ka të bëjë me lëvizjet më të reja në tregun e punës të ndikuara nga trendi permanent i migrimit te popullatës dhe fuqisë punëtore të punësuar kryesisht në BE, problemin e pagave ne sektorin privat dhe atë publik.

Pas daljes nga faza e incidencës së lartë të Covid-19 dhe rritjes ekonomike prej 10.7 për qind në vitin 2021, në vitet vijuese ekonomia e Kosovës kthehet afërsisht tek një rritje karakteristike në dekadën e fundit 3-4 për qind, përkatësisht 3.5 për qind në vitin 2022.

Një tendencë ngadalësimi përshkon vitin 2023 në tremujorin e parë (2.9 për qind) dhe në tremujorin e dytë (2.06 për qind) e shoqëruar kjo edhe me përkeqësimet në rritjen e eksportit dhe në bilancin tregtar.
Sipas të gjitha gjasave, gjykuar edhe sipas parashikimeve edhe për rrjedhat ekonomike në Bashkimin Evropian (BE), dhe në planin global kjo do të mbetet një karakteristike e ecurive edhe për vitin 2024.

Ky nivel i rritjes është nën pritjet dhe përcaktimet e Qeverisë së Kosovës në Programin Qeveritar dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve (KASH) e cila kishte parashikuar një rritje mbi 5 për qind për të tri vitet, brenda periudhës 2022-2024. Në dokumentet që shoqërojnë projektbuxhetin e vitit 2024, parashikohet një rritje prej 4.6 për qind, theksohet në prezantimin e këtij raporti.

Më tutje thuhet se Kosova është e mbërthyer brenda një kornize politikash e faktorësh që, siç provojnë statistikat për më shumë se një dekadë e gjysmë, mbajnë të pandryshueshme strukturën e Produktit Vendor Bruto (PVB). Sektorët prodhues dhe industria përpunuese nuk kanë arritur ndonjë përmirësim.

Si pasojë, modeli ekzistues i rritjes ekonomike, i bazuar në faktorët të jashtëm, pothuajse ka harxhuar fuqinë e tij për rritje ekonomike transformuese. Atij po i mungojnë shtytësit zhvillimor dhe më tepër po konservon një gjendje që në teorinë dhe praktikën e zhvillimit njihet si kurthi zhvillimor i vendeve me të ardhura mesatare.

Tejkalimi i këtij problemi, edhe në rastin e Kosovës, duhet të bëhet me promovimin e Modelit të ri të rritjes ekonomike të bazuar ne politikat e rritjes së ofertës konkurruese të produkteve dhe shërbimeve për tregun e brendshëm dhe të jashtëm. Kjo nënkupton edhe një përdorim më efektiv të fondeve publike sidomos në dobi të një investimi më frutdhënës në arsim, shëndetësi dhe kërkime e inovacion. Me këtë krijohen kushtet afatgjata për të ngritur potencialin për rritje ekonomike të qëndrueshme, sidomos duke u ndërlidhur me angazhimet e tanishme, shumë të rëndësishme, lidhur me hartimin dhe aprovimin e Strategjisë së Specializimit të Mençur (S3), Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Biznesit 2030, zbatimin Agjendës së Gjelbër dhe Digjitalizimit. Në kudër të kësaj duhet rritur ndjeshëm investimet publike dhe private në kërkime dhe inovacion. Së paku këto investimi të arrijnë mesataren rajonale (prej rreth 0.5 për qind të PVB) për një periudhë 2-3 vjeçare.

“Për më tepër, bizneset raportojnë se 17.59 për qind e punonjësve të tyre veçse i kanë informuar se do të emigrojnë vitin e ardhshëm. Vlerësimet e bizneseve janë se rreth 32.72 për qind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm, kur pritet të liberalizohen vizat për në zonën Schengen. Për të frenuar këtë trend, vetëm gjatë vitit të fundit, 79 për qind e bizneseve kanë rritur pagat e tyre dhe rritja e pagave ishte 22.23 për qind. Mbi një e treta e bizneseve raportojnë se do të vijojnë t’i rrisin pagat, përderisa 24,5 për qind planifikojnë të përmirësojnë kushtet e punës, ndërsa 20,6 për qind planifikojnë të punësojnë gra (kryesisht në moshë të mesme), dhe 10,4 për qind planifikojnë të investojnë në teknologjitë e reja që synojnë automatizimi e proceseve të punës”, thuhet në raportin “Një model i ri për rritjen e qëndrueshme ekonomike”.

Nga ana e ofertës, evidentohet një prirje e lartë për emigrim. Pothuajse gjysma e të rinjve të anketuar kanë pohuar se ata synojnë të emigrojnë në dy vitet e ardhshme. Për më tepër, një e treta e atyre që kanë lënë punën, e ka bërë një gjë të tillë për shkak të emigrimit.

“Hartuesit e politikave duhet të përqendrohen në minimizimin e faktorëve shtytës në mënyrë që të ulet prirja për të emigruar. Është me rëndësi të ceket se papunësia duket se është vetëm një nga faktorët domethënës shtytës. Arsyeja kryesore për emigracionin mbetet mundësia për ‘jetë më cilësore për vetën ose familjen’ (27 për qind), e ndjekur nga ‘gjetja e një pune ose një pune më të mirë’ (26 për qind), ‘ndjekja e studimeve të mëtutjeshme’ (14 për qind) ose ‘faktorët e kombinuar’(32 për qind). Analizimi i prirjes për të migruar dhe reagimi i vendosur në lidhje me migracionin ka implikime të rëndësishme politike dhe menaxheriale. Lidhur me këtë, janë analizuar edhe dy modele: (i) përcaktuesit që nxisin emigrimin nga Kosova, me theks të veçantë në demografinë e të rinjve, dhe (ii) karakteristikat e bizneseve që kanë humbur punëtorët për shkak të migrimit. Rezultatet e këtyre modeleve dhe ato nga analiza përshkruese ofrojnë rekomandime rëndësishme të politikave”, theksohet në raport.

Bazuar në gjetjet dhe konstatimet e këtij raporti është rekomanduar që:

1. Brenda një afati racional të bëhet rishikimi i politikave ekzistuese ekonomike dhe efektivitetit të zbatimit të tyre në harmoni me nevojën për promovimin dhe zbatimin e modelit të ri të rritjes ekonomike të përqendruar në rritjen e qëndrueshme të ofertës së produkteve shërbimeve;

2. Të dizajnohet dhe zbatohet një model politikash efektive të ngritjes së aftësisë konkurruese, sidomos duke mbështetur sektorët eksportues;

3. Në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare dhe bankat të lansohen programe të mbështetjes (vija kreditore) të investimeve afatgjate të sektorëve industrial dhe shërbimeve;

4. Investimet jashtme direkte sidomos ato nga diaspora të kanalizohen me stimuj të caktuar në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve me vlerë të lartë shtuese;

5. Të rishikohen politikat buxhetore në favor të krijimit të një përpjesëtimi më të mirë struktural, para së gjithash në favor të investimeve kapitale dhe për të arritur një pozitë më të volitshme të financimit të arsimit, shëndetësisë, kërkimeve dhe inovacioneve së paku në nivel rajonal dhe përafruar me standardet evropiane;

6. Për të parandaluar niveli e lartë të emigrimit kërkohet një strategji gjithëpërfshirëse e cila kërkon përmirësime, ndër të tjera, të sistemit të përgjithshëm arsimor, sistemit shëndetësor dhe kushteve të punës në përgjithësi si dhe në sistemin e pagave në sektorin publik dhe privat.

7. Nevojitet një aktivitet i përqendruar dhe sistematik për evitimin e barrierave administrative dhe të zbatimit të ligjit nga të gjitha institucionet dhe agjencitë përgjegjëse dhe për të zbatuar Programin e Qeverisë për Parandalimin e Barrës Administrative (2020-2027).

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim…