Kurti lavdëron punën e policisë: Ka shkatërruar mbi 100 grupe kriminale dhe ka arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona

15 nëntor 2023 | 14:17

Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka shënuar të mërkurën “Ditën e informimit për komunitetet”. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë, kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se Akademia e Sigurisë Publike sjellë dije në punën e secilit për sigurinë e qytetarëve.

Sipas tij, profesionalizimi i kësaj akademie është i rëndësishëm për mbrojtjen e kufijve. Ai më pas ka numëruar punët e policisë, duke thënë se janë organizuar mbi 1 000 operacionale policore, ku janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale  dhe janë arrestuar mbi  3 mijë e 800 persona.

“Bashkë po angazhohemi që të ndërtojmë një shoqëri e shtet të sigurt, të ngrisim e të forcojmë kapacitetet tona për ta mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Nga fillimi i mandatit tonë qeverisës janë zhvilluar mbi 1 mijë operacione kundër krimit e kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratorë të drogës dhe janë arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona”.

“Duke qenë partnerë serioz e të besueshëm për aleatët tanë, po i kontribuojmë paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë. Duke i vënë në funksion talentet, shkathtësitë dhe profesionalizimin, nga të gjithë qytetarët për dallim, për institucionet tona të sigurisë do të arrijmë më të mirën në shërbim të mbrojtjes së sigurisë dhe paqes. Për këtë arsye, jam i lumtur që jam me të rinjtë e komuniteteve të cilët kanë shprehur interesim për mundësitë që i ofron Akademia për Siguri Publike nga Ferizaj, Fushë Kosova, Graçanica, Lipjani, Gjakova, Mitrovica, Obiliqi, Shtimja e Prishtina”, ka thënë Kurti.

I pari i qeverisë, para të rinjve të komuniteteve, ka thënë se uron që ta shfrytëzojnë këtë rast për të mësuar rreth mundësive të ofruara për procesin e aplikimit që ta bëjnë Akademinë për Siguri Publike, pjesë të planeve dhe ëndrrave të tyre.

Ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se dyert e institucioneve të sigurisë mbesin gjithmonë të hapura për të gjithë pjesëtarët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Në anën tjetër, ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiqi, ka thënë se të rinjtë e të gjitha komuniteteve e kanë vendin në institucionet e vendit, sidomos në ato të sigurisë.

Më tutje,  Kastriot Jashari, zëvendësuesdrejtor i përgjithshëm i AKSP-së, ka thënë se akademia tash e 23 vjet ka kultivuar frymën për bashkëpunim më komunitete.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 63 milionë euro janë ndarë nga Qeveria…