ShBA-ja i fut në listë të zezë edhe 10 individë nga Ballkani, ja emrat e tyre

16 nëntor 2023 | 17:05

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) të enjten kanë futur në listën e zezë 10 individë, teksa kanë shpallur rundin e radhës të sanksioneve ekonomike në Ballkan.

Sipas ueb-faqes zyrtare të Thesarit amerikan, individët e sanksionuar janë nga Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Në mesin e tyre janë Savo Cvijetinoviq, Petar Gjokiq dhe Dushko Peroviq nga Bosnja e Hercegovina; Miodrag Davidoviq dhe Branisllav Miqunoviq nga Mali i Zi; Ratka Kunoska Kamceva, Irina Samsonenko dhe Sergey Samsonenko nga Maqedonia e Veriut; dhe Misha Vaçiq e Nenad Popoviq nga Serbia.

“Rusia ka vazhduar të përdorë ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor për të parandaluar integrimin e rajonit në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, si dhe të përdorë juridiksionet kryesore për të lehtësuar aktivitetet e saj agresive destabilizuese”.

“Veprimi i sotëm rikonfirmon përpjekjet më të gjera të qeverisë amerikane për të promovuar paqen, stabilitetin dhe qeverisjen funksionale demokratike në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë nënsekretari për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare i Thesarit amerikan, Brian E. Nelson, raporton “REL”.

Një ministër i Republikës Srpska dhe shefi i Përfaqësisë së RS-së në Moskë

Petar Gjokiq është ministër i Energjisë dhe Minierave në Qeverinë e Republikës Srpska (RS) dhe president i Partisë Socialiste atje.

Që nga viti 2010, ai ka mbajtur poste të ndryshme ministrore në qeverinë e këtij entiteti të Bosnje e Hercegovinës.

Në fillim të nëntorit, në Beograd, me rastin e festimit të festës ruse, Ditës së Bashkimit Kombëtar, atij iu dha një çmim për shërbimet e tij “në forcimin e miqësisë midis RS-së dhe Rusisë”.

Dushko Peroviq është kreu i Përfaqësisë së RS-së në Moskë. Ai është kryesisht i pranishëm gjatë vizitës së presidentit të RS-së, Millorad Dodik, në kryeqytetin e Rusisë, dhe takimeve të tij me liderin rus, Vladimir Putin.

Gjokiq dhe Peroviq nuk iu përgjigjën thirrjeve të “REL”-it për koment.

Savo Cvijetinoviq, i njohur me pseudonimin “Tigri”, është biznesmen nga Bijelina, në verilindje të Bosnje- Hercegovinës. Ai është themelues dhe drejtor i kompanisë “Inzenjering-BN”, e cila gjithashtu u vendos në listën e sanksioneve amerikane.

Cvijetinoviq është edhe kryetar i komunitetit serbo-rus “Zavet”. Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, ai ishte kreu i Njësive Speciale të Policisë së RS-së.

Kryetari i Partisë Popullore Serbe

Nenad Popoviq, politikan nga Serbia, i afërt me autoritetet ruse, është kryetar i Partisë Popullore Serbe – partnere koalicioni e Partisë Progresive Serbe në pushtet.

Në mbledhjen e fundit të Parlamentit të Serbisë, të shpërndarë para zgjedhjeve që do të mbaheshin më 17 dhjetor, ai ishte deputet i shumicës qeverisëse.

Nga viti 2017 deri në vitin 2022 ka qenë ministër pa portofol në Qeverinë e Serbisë. Partia e Popoviqit bashkëpunon me Rusinë e Bashkuar, partinë e presidentit rus Putin, me të cilën ka nënshkruar disa marrëveshje ndërpartiake.

Si ministër dhe deputet, Popoviq pati takime të shumta me zyrtarë rusë në Serbi dhe Rusi, dhe që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, ai avokoi që Serbia të mos vendoste sanksione ndaj Rusisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përveç trajnerit Sylvinho, në konferencë para sfidës Moldavi-Shqipëri u shfaq…