![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/11/FB_IMG_1700425951279.jpg)
Kearns thotë se do ta rrisë angazhimin e saj për ta mbështetur FSK-në në zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes
Ditën e dytë të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax të Kanadasë, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci e përmbylli me takimin me miken e Kosovës, kryesuesen e komitetit për punë të jashtme të parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Alicia Kearns.
Me këtë fast, ministri e falënderoi Kearns për angazhimin e pakursyer për të prezantuar të vërtetën për Kosovën dhe kërcënimet që i vijnë vendit tonë nga strukturat e organizuara terroriste dhe para-ushtarake, të mbështetura nga institucionet shtetërore të Serbisë.
Më pas, ministri Maqedonci e njoftoi Kearns për situatën aktuale dhe rrezikun që paraqet militarizimi i vijës kufitare nga ana e Serbisë si dhe mbështetja e aktiviteteve të grupeve terroriste nga ana e institucioneve të sigurisë të Republikës së Serbisë.
Në fund, diskutimet u fokusuan në bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në fushën e mbrojtjes në mes të Mbretërisë së Bashkuar dhe Republikës së Kosovës.
Në këtë takim, Kearns u zotua se do të rrisë maksimalisht angazhimin dhe do të shfrytëzojë ndikimin e saj për mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndërtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve të mbrojtjes.