Kurti thotë se OJQ-të dhe bizneset mund të regjistrohen si ndërmarrje sociale

20 nëntor 2023 | 11:27

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, janë takuar me përfaqësues të organizatave joqeveritare (OJQ) dhe bizneseve.

Me këtë rast, Kurti ka njoftuar se OJQ-të dhe bizneset do të mund të marrin statusin e ndërmarrjeve sociale.

Sipas tij, ky vendim mundëson punësimin dhe sigurimin e mirëqenies për grupet e cenueshme.

“Politikat e orientuara për personat me aftësi të kufizuara, lehonat, fëmijët, të moshuarit dhe familjet me asnjë të punësuar kanë siguruar që qytetarët dhe shteti do të jenë bashkë për të vepruar për të gjithë pa lënë asnjërin mbrapa. Punësim, drejtësia, barazia dhe zhvillimit ekonomik janë baza e së cilit hap të rrugëtimit tonë. Sot pranë jush në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ju paraqes edhe një arritje tjetër në këtë drejtim kur për herë të parë në Kosovë, qeveria jonë ofron mundësin që organizatat joqeveritare dhe bizneset të regjistrohen dhe të marrin statusin e ndërmarrjes sociale. Pra në vendin tonë kemi ndërmarrje publike, kemi ndërmarrje private, por kemi edhe ndërmarrje sociale. Kornizën ligjore e cila ka qenë ekzistuese në fund po e zbatojmë ashtu që të adresojmë nevojat e grupit cenueshme të shoqërisë përmes zhvillimit të sektorit ndërmarrësisë sociale”, ka thënë Kurti.

Më tutje, Kurti ka bërë me dije se do të ofrojnë lehtësira për të gjithë ata që do t’i shndërrojnë bizneset në ndërmarrje sociale

“Nëse aktivitetin tuaj e keni strukturuar në atë mënyrë që ofroni shërbime për grupe të cenueshme apo keni punësuar së paku 30 për qind të stafit nga grupet e cenueshme, ju mund të aplikoni për të marrë certifikatën e ndërmarrjes sociale të shënoheni në regjistrin e ndërmarrjes sociale dhe të operoni si të tilla në tregun në Kosovë”. Si qeveri mbetemi të përkushtuar që të gjithë ta ndjejnë dorën e shtetit dhe synojmë të bëjmë këtë duke garantuar qasje të barabartë në mundësi për avancimin ekomomik. Andaj ju konsiderojmë pikërisht juve këtu të ftuar si dhe të gjithë organizatat joqeveritare edhe bizneset që punojnë në shërbim të grupeve të cenueshme si partnerët kyç në këtë rrugëtim tonë të përbashkët”, ka thënë Kurti.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se kompanitë ku 30 për qind e punëtorëve janë nga grupet e cenueshme mund të aplikojnë si ndërmarrje sociale.

Sipas tij, përfitimet janë që kompanitë ose OJQ-të lirohen nga tatimi në fitim.

“Ndryshe nga bizneset tradicionale të cilat kanë për qëllim maksimizimin e fitimit, ndërmarrjet sociale përdorin fondet e tyre për të avancuar misionin shoqëror, e në përkrahje të këtij misioni ato pranojnë edhe lehtësira përgjatë operimit”, ka thënë Murati. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka…