Rohde, i zhgënjyer për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare: Do të jepeshin 400 milionë euro

20 nëntor 2023 | 11:44

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Komisioni për Integrime Evropiane në lidhje me raportin e Bashkimit Evropian për Kosovën.

Me këtë rast, Rohde ka folur për mungesën e bashkëpunimit pozitë e opozitë, me ç’rast ka thënë se për shkak të mosvotimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, Kosova i humb 400 milionë euro.

Rohde, i ka bërë thirrje Kosovës që të bëjë edhe më tej përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Serbinë, duke shtuar se ajo ka qenë e përkushtuar “në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

Sipas tij, është e rëndësishme “që të arrihet një momentum në bisedimet me Serbinë”.

Rohde ka thënë se sfiduese për Kosovën mbetet lufta ndaj korrupsionit, reforma e administratës publike dhe sundimi i ligjit.

“Gjermania i ka ofruar asistencë të madhe shtetit të Kosovës në arritjen e reformave. Kosova ka mbetur e përkushtuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, por duhet akoma përpjekje për zbatimin e marrëveshjeve të arritura”.

“Raporti për Kosovën duhet të shihet që të na kujtojë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen që Kosova të avancojë në qëllimin e saj që të bëhet anëtare e BE-së. Reformat nuk duhet bërë vetëm nga qeveria, por edhe nga Kuvendi”.

“Sot që jemi këtu dua të shpreh zhgënjimin për mungesën e bashkëpunimit me partitë politike dhe mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtarëve, ku do të jepeshin mbi 400 milionë euro. Raporti për Kosovën duhet të përdoret që të na kuptojmë të gjithëve se cilat reforma duhet të bëhen në mënyrë që Kosova të jetë pjesë anëtare e BE-së”, ka thënë Rohde.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht moshës, LeBron James nuk ndalet, duke realizuar 37 pikë…