Ambasadori i Shqipërisë bën homazhe në Prekaz dhe viziton familjen e ish-presidentit Rugova

21 nëntor 2023 | 15:25

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka bërë homazhe në Prekaz dhe ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Ambasadori Malaj ka shprehur respekt për pritjen që i është bërë nga familja Jashari në Prekaz.

“Kam bërë homazhe pranë varrezave të dëshmorëve në Prekaz, ku përzemërsisht vendosa një kurorë me lule në shenjë respekti për gjakun e derdhur nga familja Jashari për lirinë e Kosovës, liri që gëzojnë pasardhësit e tyre sot, si dhe vizitova familjen e komandantit Legjendar Adem Jashari, ku u prita dhe u ndjeva shumë i respektuar nga kryefamiljari z. Rifat Jashari. Mirënjohje dhe faleminderit për mikpritjen baca Rifat! Gjithashtu vizitova familjen e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, i shoqëruar nga bashkëshortja ime dhe stafi diplomatik i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë. Me nderim e respekt të thellë për figurën dhe kontributin historik të dr. Ibrahim Rugovës, i shpreha bashkëshortes së Presidentit dhe djemve të tij vlerësimin maksimal për vizionin, qëndresën, bashkëpunimin e tolerancën që karakterizonte këtë burrë shteti. Familja Rugova mbetet mike e çmuar e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë”, ka shkruar ambasadori Malaj në “Facebook”.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria arriti një kualifikim historik për në finalet e Evropianit…