Usyk paralajmëron Furyn: Do të flas në ring

23 nëntor 2023 | 16:32

Boksieri ukrainas Oleksandr Usyk ka qëndruar i qetë në daljet e fundit në publik. Madje kështu bëri edhe disa ditë më parë, kur u takua “ballë për ballë” me Tyson Furyn. Në konferencën për shtyp ata paraqitën sfidën që do të zhvillojnë së bashku më 17 shkurt, kur do t’i unifikojnë titujt kampionë bote në peshën e rëndë.

Dueli i shumëpritur mes dy boksierëve të pamposhtur do të zhvillohet në Arabinë Saudite. Tyson Fury e quajti kundërshtarin ukrainas një “burrë të vogël, të shëmtuar, sallam”, duke dëshmuar se lojërat e mendjes tashmë kanë filluar.

Usyk është kundërpërgjigjur duke folur për “Sky Sports”: “Tashmë jam në kokën e tij. Po këndoj dhe kërcej atje. Nuk dua të flas shumë sot. Do të flas në ring, më 17shkurt. Më në fund, dueli që kam pritur me aq shumë dëshirë është aty”. Të dy duhej të përballeshin më 23 dhjetor, por sfida u shty dy muaj, pasi Fury kërkoi më shumë kohë për t’u përgatitur, pas duelit që zhvilloi më 28 tetor ndaj Francis Ngannou. Të dy boksierët kanë nisur përgatitjet për këtë duel të madh, që pritet të jetë një nga ngjarjet më të mëdha sportive të vitit 2024.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 22 Nëntorit të alfabetit të gjuhës shqipe,…