Vuçiçi kërkon nga ndërkombëtarët të marrin masa ndaj Kurtit për ndalimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë

23 nëntor 2023 | 19:08

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se bashkësia e organizuar ndërkombëtare duhet të bëjë më shumë në lidhje me vendimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës pa marrëveshje speciale ndërshtetërore.

“Duhet të jesh i verbër politikisht që të mos e shohësh se çfarë po bën Kurti. Ashtu siç i kam thënë edhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të presim nëse do të lëshojnë ndonjë deklaratë, ku do të thonë se është në kundërshtim me parimet demokratike”, ka thënë presidenti serb, trasmeton “Tanjug“, agjencia serbe e lajmeve.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se nëse Serbia është e interesuar, duhet të propozojë një marrëveshje të veçantë në mënyrë që t’i mundësohet komunitetit serb në Kosovë të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë të planifikuara për në dhjetor të këtij viti.

E kërkesa për marrëveshje speciale, sipas kryeministrit Kurti, duhet të vijë nga Serbia, ndërsa çdo kërkesë nga pala serbe duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë (Bruksel, 27 shkurt – Ohër, 18 mars) për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Serbia, nëpërmjet drejtorit të të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, ka kërkuar që zgjedhjet parlamentare serbe të planifikuara më 17 dhjetor të këtij viti të organizohen edhe në territorin e Kosovës, sipas të njëjtit model të aplikuar që prej zgjedhjeve të Serbisë në vitit 2017 e tutje, ku votat janë grumbulluar nga OSBE-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së djeshme qyteti i Suharekës është tronditur nga…