Deputeti i LV-së për këshilltarin e Gërvallës: Është rrenë, nuk e ka pagën 7 500 euro
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka komentuar raportimet e fundit në medie rreth pagës që merr këshilltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Gani Jakupi.
Siç kanë raportuar mediet, Jakupi paguhet 90 mijë euro në vit nga taksapaguesit e Kosovës. E për këtë, Dugolli thotë se bëhet fjalë për një projekt të MPJD-së, e që shuma e të njëjtit është 90 mijë euro.
Ai theksoi se Jakupin “nuk e njeh as kush është”.
“Bëhet fjalë për një projekt të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, e që është rreth 90 mijë euro, por projekti është 90 mijë euro. E për cilin projekt më pastaj, janë qiraja, meditjet, është paga, janë shërbimet… për të qenë real unë nuk e njoh as kush është, së pari herë po ja nij zanin. Por e vërteta është që është projekt, është një projekt për të cilin na lidh një kontratë”, deklaroi ai në “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.
Deputeti Dugolli u shpreh se “është rrenë” që Jakupi e ka pagën 7 mijë e 500 euro, teksa potencoi se MPJD-ja do të dalë shumë shpejt me një sqarim.
Sipas raportimeve, 7 mijë e 500 euro është paga me të cilën Gani Jakupi paguhet nga Qeveria e Kosovës për pozitën këshilltar në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, dikaster ky i cili udhëhiqet nga Donika Gërvalla.
Në media u raportua se Jakupi jeton në Spanjë, por është angazhuar nga ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, si këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike.
Një informacion i tillë ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale nga liderë politikë, opozitarë dhe nga pjesëtarë të shoqërisë civile.