![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/11/albin-kurti-9-1333x1000-1.jpg)
Kurti për ndalimin e vizitave dhe telefonatave për liderët UÇK-së: Mundësit janë të kufizuara, po punojmë me Konjufcën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës i kanë mundësitë të kufizuara që të ndikojnë në Gjykatën Speciale në Hagë.
Duke komentuar vendimin për ndalimin e vizitave dhe telefonave për krerët e UÇK-së, ai ka thënë se ndikimi i tyre është tejet i vogël.
Por, ai ka thënë se së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, janë duke punuar në këtë drejtim.
“Sigurisht që bëhet fjalë për zhvillim negativ meqenëse e pësojnë familjet më të dashurit e atyre që po mbahen mbi 3 vjet në Hagë”.
“Unë këtë dje e kam marr vesh nga deputetja Shqipe Selimi që është bashkëshortja e gjeneralit të UÇK-së Rexhep Selimi dhe njëkohësisht e kemi diskutuar edhe me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, këtë zhvillim negativ. Ju e dini që ne i kemi mundësitë e kufizuara për të pasur çfarëdo ndikimi mirëpo natyrisht jemi duke menduar se si mund të ndihmojmë”, ka thënë Kurti.
Gjykata Speciale e Hagës, më saktësisht Qendra e Paraburgimit, i ka ndaluar të gjitha telefonatat dhe vizitat për krerët e UÇK-së.
Atyre vetëm u është thënë se “me keqardhje i njoftojnë që vizitat janë anuluar”. As familjarët e as miqtë nuk kishin pranuar asnjë sqarim tjetër.
Ata që kishin vizita të aranzhuara kishin paguar biletat e hotelet, dhe kishin kryer fluturimet. Por, në fund, vizita nuk është bërë.
Arsyet pse ka ndodhur një situatë e tillë ende nuk dihen. Megjithatë, kjo vjen disa ditë pasi Prokuroria e Hagës pati disa aksione, arrestime e bastisje, me arsyetimin e “pengimit të drejtësisë”. Por, nuk dihet nëse ndalesa e vizitave e telefonatave ndërlidhet diçka me këtë qëllim. /EO