Gjermania regjistroi rreth një mijë incidente antisemitike që nga 7 tetori

28 nëntor 2023 | 14:45

Plot 994 incidente antisemitike u raportuan në Gjermani në muajin e parë të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Ky numër shënon 29 raste në ditë, 320% më shumë incidente krahasuar me mesataren ditore në vitin 2022, raportoi Shoqata Federale e Departamenteve për Kërkime dhe Informacion mbi Antisemitizmin (Rias), në Berlin, të martën.

Vlerësimi mbulon periudhën nga 7 tetori deri më 9 nëntor 2023.

Shumë hebrenj përjetuan incidente antisemitike në përditshmërinë e tyre dhe ndien pasiguri, tha Rias.

Në 59 raste, incidentet kanë ndodhur në zonat e banimit. Në Giessen dy burra u futën me forcë në banesën e një izraeliti për të hequr një flamur izraelit të varur në dritare.

Antisemitizmi dhe propaganda anti-izraelite janë gjithashtu në rritje në universitete ku u raportuan 37 incidente.

Sipas studentëve hebrenj, ata u fajësuan nga studentët e tjerë për veprimet e Izraelit. Madje, disa kanë ndaluar së shkuari në universitet.

Shifrat janë alarmante, por jo befasuese, tha Hanna Veiler, presidente e Unionit Studentor Hebre në Gjermani.

“Hebrenjtë e rinj kanë raportuar në vazhdimësi që nga 7 tetori se sa është rritur antisemitizmi që ata perceptojnë në jetën e tyre të përditshme, veçanërisht në kontekstin universitar”, tha ajo.

Një burrë e valëvit një flamur palestinez me mesazhin “Dagestani është me ju” gjatë një tubimi pro-palestinez në aeroportin e Makaçkalës, pas mbërritjes së një aeroplani nga Tel Avivi më 29 tetor, 2023.

Qendrat e raportimit Rias regjistruan 177 tubime antisemitike në mbarë vendin.

“Sukseset propagandistike të Hamasit kanë një ndikim më të madh në numrin dhe rrjedhën e demonstratave në Gjermani sesa veprimet të vetë ushtrisë izraelite”, tha drejtori menaxhues i Rias, Benjamin Steinitz. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Musli Krasniqi Liri a vdekje. Sa e sa herë…