Rashiq: INTERPOL-i lëshon urdhërarrest për Radoiçiqin

07 dhjetor 2023 | 11:38

Organizata ndërkombëtare e policisë, Interpol, lëshoi urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ai tha se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNIMK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Meqë Kosova nuk është anëtare e Interpol-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë.

Më 24 shtator, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovës.

Radoiçiq u mor në pyetje nga Prokuroria e Serbisë në muajin tetor dhe u ngarkua me disa vepra, përfshirë trafikim armësh dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

Megjithatë, gjykata në Beograd e liroi nga paraburgimi, por ia konfiskoi dokumentet.

Përmes një letre publike të lexuar nga avokati i tij më 29 shtator, Radoiçiq tha se “personalisht” e ka organizuar rebelimin e armatosur në veri të Kosovës.

Ai mohoi përgjegjësinë e autoriteteve shtetërore të Serbisë në sulm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza ka përuruar urën…