Austria mbështet anëtarësimin e Kosovës në Interpol

04 shtator 2018 | 15:34

Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bejtush Gashi, ka pritur të martën në takim një delegacion nga Austria, i udhëhequr nga zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë, Karoline Edtstadler.

Në këtë takim është biseduar lidhur me bashkëpunimin në mes të dy vendeve në ndërtimin e institucioneve të sigurisë, duke përfshirë bashkëpunimin policor, bashkëpunimin në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Më këtë rast, ministri Gashi ka vënë në dukje përkrahjen që ka dhënë shteti i Austrisë në shumë fusha, sidomos në fushën e sigurisë dhe në përkrahjen e vazhdueshme për anëtarësinë në organizata të sigurisë.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizata të sigurisë, sidomos anëtarësimi në Interpol është një prioritet kryesor i imi, i cili do t’i mundësonte Kosovës që të kontribuojë në sigurinë rajonale dhe globale, në mënyrë që të jetë pjesë aktive në shkëmbimin e informacioneve për grupet kriminale”, ka thënë ministri Gashi

Ai ka theksuar se Policia e Kosovës ka bashkëpunuar në aspektin operacional me Policinë e Austrisë në shumë raste, veçanërisht në rastet e krimit të organizuar trans-kufitar, trafikimit me narkotikë, kontrabandimin me emigrantë dhe krimit kibernetikë.

“Falënderoj Austrinë për kontributin e jashtëzakonshëm që e ka dhënë për Republikën e Kosovës në fushën e forcimit të kapaciteteve tona institucionale në luftimin e korrupsionit. Sa i përket aspektin institucional, si MPB disa shërbime i kemi digjitalizuar dhe disa tjera janë në proces, të cilat kanë ndikim drejtpërdrejtë në ndalimin e korrupsionit”, është shprehur Gashi.

Në këtë takim, ministri Gashi ka folur edhe për procesin menaxhimit të riintegrimit të personave të riatdhesuar.
Ai ka thënë se me programet që janë hartuar për kthim të qëndrueshëm të qytetarëve të Kosovës, 43 për qind e të kthyerve janë ndihmuar në projekte të ndryshme.

Ndërsa zëvendësministrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Austrisë, Karoline Edtstadler, ka theksuar se Republika e Kosovës është një partner i rëndësishëm, sidomos aspektin e sigurisë në Ballkan.
“Ju e dini që shteti i Austrisë ka presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian dhe synimi ynë është zgjerimi i vendeve të BE-së në veçanti të Ballkanit perëndimor”, ka thënë Edtstadler.

Ajo ka bërë me dije se Austria mbështet pranimin e Republikës së Kosovës në Interpol.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova ishte prekur e fundit nga gjakderdhja e tmerrshme ballkanase,…