Suksesi po “ngritët” – cilësia po bie!!!

11 dhjetor 2023 | 11:01

Nëse vazhdohet me ikje nga realiteti dhe mos puna mbulohet me ngritje fiktive të suksesit, që nuk bazohet në dijen e nxënësve, suksesi do të “rritet” por cilësia do të bie… Përballja me realitetin është kushti pa të cilin nuk mund të ecet përpara.

Sa herë që po publikohen rezultatet e testit PISA, në Kosovë po ndizet debati ndërmjet të grupimeve të ndryshme, i koncentruar në gjetjen e fajtorit, në vend të angazhimit për gjetjen e fajit. Opozita si tani edhe në të kaluarën zakonisht e fajëson pozitën për rezultatet e dobëta, prindërit i fajësojnë mësimdhënësit, mësuesit i fajësojnë prindërit, shkollat ankohen për mungesë kushtesh, ndërsa dikush problemin e sheh te tekstet shkollore e të tjerët te mjetet e punës, e kështu me radhë. Akuzat vazhdojnë derisa palët lodhen qoftë duke akuzuar, qoftë duke u mbrojtur. Kur pushojnë fajësimet e njeri-tjetrit, vazhdohet me logjikën e vjetër. Secila palë konsideron se e ka dhanë maksimumin për ngritjen e cilësisë, por të tjerët nuk po bëjnë sa duhet.

E vërteta është se atë që po e bëjnë, faktorët e lartpërmendur për ngritjen e cilësisë qoftë bashkë, qoftë veç e veç , nuk po mjafton, prandaj nevojitet angazhim shtesë i të gjithëve.

I takon institucioneve të arsimit që ta ndërmarrin iniciativën për t’i bërë bashkë “fajtorët” dhe të “pafajshmit”, në të gjitha nivelet që ta hulumtojnë dhe ta gjejnë rrugën e vërtetë (pa improvizime) për ta ndryshuar gjendjen në arsim.

Për ta ndryshuar këtë situatë në arsim, së pari duhet të incizohet gjendja dhe pastaj në bazë të rezultateve të nxjerrim konstatimin real të gjendjes aktuale në arsim.

Pastaj duhet të identifikohen faktorët që e kanë sjell arsimin në këtë gjendje.

Hapi i tretë duhet të jetë gjetja e mënyrës së eliminimit të faktorëve, që e kanë sjellë arsimin në këtë gjendje dhe angazhimin e ekspertëve, që do t’i eliminojnë faktorët, që po e pengojnë ngritjen e cilësisë në arsim.

Në fund, bazuar në përvojat tona pozitive dhe në përvojat e vendeve, që kanë cilësi të lartë në arsim, duhet të futen në përdorim metodat – elementet e reja që premtojnë avancime në procesin mësimor.

Në realizimin e këtyre hapave duhet të marrin pjesë: Ministria e Arsimit, mësuesit, prindërit, nxënësit, drejtoritë e shkollave, Drejtoritë Komunale të Arsimit, inspektorët e arsimit, hartuesit e ligjeve dhe të akteve nënligjore për arsimin, hartuesit e teksteve shkollore, ekspertët e ndryshëm të arsimit, organizatat qeveritare dhe joqeveritare, që merren me arsimin, si dhe kushdo tjetër që merret me çështje të arsimit.

Me njerëz kompetent të fushës dhe me organizimin e punës së planifikuar mirë, që nuk do të ndërpritet deri në realizimin e rezultateve të dëshiruara, gjendja në arsim do të fillojë të përmirësohet gradualisht.

Përballja me të vërtetën dëshmon gatishmërinë për të filluar me ndryshimin e gjendjes, ja një shembull:

Në një hulumtim të organizuat nga Drejtoria e Arsimit të Gjilanit, në vitin 2010, është konstatuar se nga klasa e II deri në klasën e IX, në të gjitha shkollat fillore të kësaj komune, 200 nxënës nuk kanë ditur shkrim – lexim. Pas marrjes së këtyre rezultateve, Drejtoria e Arsimit pati organizuar mësim plotësues për këta nxënës, të cilët për gjashtë muaj u aftësuan të lexojnë dhe të shkruajnë.

Me sa dihet analiza të tilla, nuk janë bërë as para e as pas vitit 2010, as në Gjilan dhe as në komunat e tjera. Përkundër mungesës së të dhënave konkrete, dihet se gjendja në arsim edhe në pjesët e tjera të Kosovës nuk dallon shumë në këtë aspekt. Megjithatë askund tjetër nuk janë ndihmuar nxënësve që nuk dinin shkrim lexim.

Nëse vazhdohet me ikje nga realiteti dhe mospuna të mbulohet me ngritje fiktive të suksesit, që nuk bazohet në dijen e nxënësve, suksesi do të “rritet” por cilësia do të bie.

Se në shumë raste po veprohet në këtë formë, e dëshmon raporti i Drejtorisë së Arsimit në Gjilan në lidhje me suksesin e nxënësve për vitin shkollor 2022/2023.

Në raportin vjetor të Drejtorisë së Arsimit në lidhje me suksesin e nxënësve për vitin shkollor 2022/2023, drejtuar Kuvendit Komunal të Gjilanit, përveç të tjerash janë publikuar edhe këto të dhëna:

Krahasimi i suksesit të vitit shkollor 2021/22 me suksesin e vitit shkollor 2022/ 23.

Në arsimin fillor (I – IX)

Vitin shkollor 2021/22, me sukses pozitiv e kanë përmbyllur 88% e nxënësve.

Vitin shkollor 2022/23, me sukses pozitiv e kanë përmbyllur 97.17% e nxënësve,

80% e tyre me sukses të shkëlqyeshëm.

Në arsimin e mesëm të lartë (X – XII)

2021/22                                                2022/23

Me sukses pozitiv 53. 76% të nxënësve,     Me sukses pozitiv 90.31% të nxënësve (dallimi + 36.55%)

Të pa notuar 0.35%                                    Të pa notuar 1.3% (0.9% më i lartë nr. i nxënësve të pa notuar)

Krahasimi i mungesave për kokë të nxënësve të vitit shkollor 2021/22 me mungesat e vitit shkollor 2022/ 23:

2021/2022                                             2022/2023

15.24 mungesa për kokë të nxënësve,    20.92 për kokë nx. (5.68 më shumë për kokë nxënësve.

Bazuar në këto të dhëna suksesi është ngritur rreth 36%, kurse disiplina ka rënë, (numri i mungesave është rritur rreth  25 %).

Bazuar në këto të dhëna shihet qartë se në vend të angazhimit për ndryshimin e gjendjes po bëhen përpjekje për fshehjen e realitetit. Kjo praktikë duhet të ndryshojë. Përballja me realitetin është kushti pa të cilin nuk mund të ecet përpara. Ndryshimit duhet t’i prijnë institucionet përgjegjëse, kurse gjithë të tjerët duhet t’i bashkëngjiten kësaj iniciative pa hezitim. Angazhimi për ngritjen e cilësisë në arsim është angazhim për të ardhmen e vendit tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë, politizimi e pengon punën për ndryshimin e gjendjes në arsim, prandaj të fillojmë nga sot, të punojmë bashkë për ndryshimin e gjendjes në arsim.

Ismajl Kurteshi, dhjetor 2023.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Brazili do të presë fundjavën Sprint për herë të katërt,…