Policia në Shqipëri sekuestron 500 kilogramë kanabis që kishin destinacion Turqinë

12 dhjetor 2023 | 13:19

Rreth 500 kilogramë të bimës kanabis janë sekuestruar të martën nga Policia në Shqipëri.

Aksioni është zhvilluar në qytetin e Vlorës, nga policia vendore, në bashkëpunim me efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale, dhe të Repartit Special “RENEA” (Reparti i Neutralizimit të Elementëve të Armatosur).

Policia ka thënë se shtatë persona të moshave nga 22 deri në 50 vjeç janë arrestuar.

Policia e Vlorës ka thënë se ka zhvilluar disa muaj hetime, deri në “goditjen e këtij grupi kriminal”.

“Këta shtetas vepronin në mënyrë të organizuar për të trafikuar drogën drejt shtetit turk, nëpërmjet rrugëve detare. Ata kishin përpunuar dhe ambalazhuar lëndën narkotike në një magazinë, dhe më pas, përmes një automjeti po e transportonin në afërsi të vijës ujore, për ta transportuar me rrugë detare, drejt Turqisë”, ka thënë drejtori i Policisë së Vlorës, Ermal Muçaj.

Ai ka thënë se edhe disa persona të tjerë nga Vlora dhe Tirana janë shpallur në kërkim.

Policia ka sekuestruar automjetin e ngarkuar me 34 pako të madhësive të ndryshme me kanabis në formë boçi, me peshë 500 kilogramë.

Operacioni ka vijuar me kontrollin e magazinës në fshatin Trevllazër, ndërsa janë sekuestruar dy armë zjarri, katër automjete dhe tetë celularë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka udhëtuar për vizitë zyrtare…