Kamberi tregon se çka fiton Kosova nëse ia bashkëngjet vetes Luginën

04 shtator 2018 | 23:11

Kryetari i Bujanocit, Shaip Kamberi ka thënë se nëse Lugina e Preshevës nuk bashkohet me Kosovën, si pjesë e fazës finale të bisedimeve me Serbinë, numri i shqiptarëve në atë trevë do të përgjysmohet.

Në “Zona e Debatit” ai ka deklaruar se rrethanat politike në Luginën e Preshevës kanë bërë që ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë të pëlqehet nga shqiptarët atje.

Kamberi ka përmendur Korridorin X, popullsinë me moshë të re dhe potencial, diasporën e fuqishme, e të tjera, kur është pyetur se çka do të fitonte Kosova, nëse do t’ia bashkëngjiste vetes Luginën.

“Nuk janë realizuar premtimet e marrëveshjeve të viteve 2001, 2009 dhe 2013, gjë që dëshmon se Serbia nuk është e gatshme dhe nuk ka kapacitete të mjaftueshme demokratike për t’i integruar shqiptarët e Luginës së Preshevës, si qytetarë të barabartë me të tjerët. Një rrugë që për 17 vjet është tentuar, por nuk ka dhënë rezultate – dhe jo vetëm kaq, por ka ndikuar që një numër i madh i popullsisë tonë të shpërngulet. Prandaj tash ideja e lansuar nga presidenti Hashim Thaçi shihet si atraktive, si një mundësi që nxit shpresë të re tek shqiptarët e asaj ane”, ka deklaruar ai.

Ai ka përmendur edhe të mirat që i përfiton Kosova nëse bashkohet me Luginën.

“Synimi ynë është që të gjithë shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës t’i bashkohen Kosovës. Ajo fiton 80 mijë banorë, me moshë mesatare 27 vjeç. Popullsi e re me potencial të madh. Fiton diasporë të fuqishme dhe fiton afërsi prej një kilometri me Korridorin X, si dhe stabilitet politik në raport me fqinjin. Kjo Serbi po tregon se nuk i do shqiptarët dhe i konsideron elementë të huaj dhe si të tillë do t’i largojë. Me trendet që kanë filluar prej vitit 2010, me liberalizimin e vizave, me mungesën e zhvillimit ekonomik dhe diskriminimin, unë besoj që në dhjetë vjet bërthama shqiptare do të përgjysmohet”, ka thënë Kamberi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherit ministër i Shëndetësisë,…