Çitaku reagon ndaj deklaratës së Bislimit: Eksponentët e LV-së janë kthyer në llum të shpifjeve
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj akuzave të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ndaj opozitës.
Ajo ka thënë se vartësit e kryeministrit Albin Kurti janë duke u sjellë në mënyrë të çuditshme me opozitën.
Çitaku ka thënë se në mungesë të rezultateve në qeverisje, eksponentët e Lëvizjes Vetëvendosje janë kthyer në llumin e shpifjeve.
“Vartësit e kryeministrit vazhdojnë të sillen si opozitarë të papërgjegjshëm. Dje njëri nga ta mes shumë spekulimesh dhe të pavërtetash, paska akuzuar opozitën për koordinim me Serbinë. Sinqerisht, në cilin planet po jetojnë? Në mungesë totale të rezultateve në qeverisje, eksponentët e LV-së janë kthyer në habitatin e tyre më komod; në llumin e shpifjeve. Të nderuar, gjatë qeverisjes suaj rritje kanë shënuar vetëm pabarazia, inflacioni, migrimi dhe asociacioni. Të mjerë”, ka shkruar Çitaku në “Facebook”.