Pas një viti, myku e lagështia mbulojnë Klinikën e Mjekësisë Fizikale

17 dhjetor 2023 | 16:59

I vjetër vetëm një vit, çdo objekt supozohet se është i ri. Por, ky nuk është rasti me Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit – së paku jo në dukje.

Ky objekt që gjendet në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, është lëshuar në funksion më 28 dhjetor të vitit 2022.

Atë e karakterizojnë tashmë tavane të shkatërruara, mure të mykura e ujë që rrjedh.

Një ekip i REL-it e vizitoi klinikën më 14 dhjetor, por pakkush prej stafit ishte i gatshëm të fliste për gjendjen e objektit.

Një mjek që nuk deshi të identifikohej, tha shkurt se punimet janë bërë “shkel e shko”.

Objekti ka përdhesen dhe dy kate të tjera.

Në dy të parat dëmet janë më të mëdha, por duket se kanë filluar edhe në të sipërmin.

Në ndërtimin e Klinikës së Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit, ku bën pjesë edhe Mjekësia Sportive, ka marrë pjesë një grup kompanish private, thonë nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, i cili ka në përgjegjësi gjithë QKUK-në dhe spitalet rajonale.

SHSKUK-ja, megjithatë, nuk jep detaje për këto kompani, e as për koston e objektit.

Ngjashëm, REL-i pyeti edhe Ministrinë e Shëndetësisë, por, deri në publikimin e këtij materiali, nuk mori asnjë përgjigje.

Një mjek i tha REL-it se punimet në objektin e klinikës ishin përshpejtuar – e disa edhe vazhdojnë ende – për shkak të situatës së rënduar me pandeminë COVID-19 në atë kohë.

Sipas tij, qëllimi ishte të rriteshin kapacitetet për shtrimin e pacientëve të infektuar.

Edhe pse në gjendje të tillë, klinika ofron shërbimet e saj për pacientë – numri i të cilëve arrin deri në 60 në ditë.

Duke pasur në qendër trajtimin e patologjive të ndryshme përmes terapisë fizikale dhe rehabilitimit, ajo ka edhe kapacitete hospitalizimi – deri në 20 shtretër.

Në një aneks ka, po ashtu, pishina për hidroterapi, por që nuk janë funksionalizuar kurrë.

Sipas mjekut që deshi të mbetet anonim, ka ende mungesë të pajisjeve të domosdoshme për hidroterapi, por edhe të personelit për mirëmbajtjen e ujit në pishina.

Situata të tilla paradoksale hasen edhe në klinika të tjera të QKUK-së, ku ka ose mungesë aparature, ose “tepricë” të saj.

Në Klinikën e Mjekësisë Fizikale, së paku, SHSKUK-ja zotohet se gjendja e objektit do të përmirësohet.

“Lidhur me depërtimin e ujit, jemi njoftuar me vonesë dhe për këtë është njoftuar kompania punëkryese, e cila, në bashkëpunim me Sektorin Teknik të QKUK-së, do t’i bëjë sanimet e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni dërguar Radios Evropa e Lirë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Serbi po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, lokale e…