Ramadani: Serbia e rrezikon rajonin, Kosova dhe Bosnja duhet t’i bashkohen NATO-s

20 dhjetor 2023 | 15:51

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka vlerësuar se udhëheqja aktuale në Serbi e promovon panserbizmin.

Ai ka bërë me dije se të njëjtën qasjen e kanë pasur të gjitha partitë politike edhe gjatë fushatës së fundit zgjedhore.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Ramadani ka thënë se në këtë mënyrë Serbia rrezikon rajonin.

“Nëse shikojmë se si (partitë në Serbi) e kanë bërë fushatën zgjedhore, atëherë vëmë re se bëhet fjalë për panserbizëm. Udhëheqja aktuale, e cila tashmë edhe është konfirmuar, promovon panserbizmin dhe kështu kërcënon sigurinë dhe qëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor”, është shprehur Ramadani.

Ish-kryeinspektori i AKI-së ka deklaruar se kjo tregon nevojën që vendet tjera të rajonit duhet të anëtarësohen në NATO.

“Kosova dhe Bosnje dhe Hercegovina duhet t’i bashkohen NATO-s me hapa të përshpejtuar dhe, në të njëjtën kohë, Serbia duhet ta marrë dënimin e merituar nëse vazhdon të promovojë ideologji nacionaliste të panserbizmit, qoftë duke futur në listën e zezë individë të saj, qoftë duke e hequr atë nga (programi i NATO-s) Partneriteti për Paqe, për fillim”, ka thënë Ramadani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka dhuruar 1500…