Sazani, dikur ishull ushtarak, sot turistik (foto)

05 shtator 2018 | 17:33

Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometrash katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Aty ende ka tunele dhe llogore nga koha kur ishte bazë ushtarake për t’u bërë ballë sulmeve nukleare nga Perëndimi.

Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet luftarake, artileria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull, raporton “Epoka e re”.

Ndërkaq, gjatë Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti më i vështirë për ushtrinë  shqiptare. Për këtë arsye, njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë nga qeveria e asaj kohe.

Në kodrat e ishullit Sazan ende gjenden rreth 3 600 bunkerë.

Ishulli, që dikur ishte bazë e 3 000 trupave ushtarake, në vitin 2010 u shpall park i mbrojtur.

Para vitit 2010 ishulli Sazan përdorej si vend për stërvitje dhe operacione ushtarake. Tani aty qëndrojnë vetëm disa marinarë, të cilët kanë detyrë t’i kontrollojnë aktivitetet e paligjshme mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në këtë ishull ndodhet plazhi i vetëm, ai i Admiralit. Ishulli i Sazanit tash është një guidë turistike dhe është në dispozicion të turistëve.

Për të vizituar këtë ishull tanimë shteti shqiptar u ka dhënë leje anijeve turistike dhe motoskafëve të shumtë që të bartin turistë nga Porti i Vlorës dhe nga Radhime e Orikumi. Por, për ta bërë të shfrytëzueshëm gjatë gjithë vitit këtë resort turistik, kohë më parë nga qeveria shqiptare është ngritur ideja e ndërtimit të një qendre për kongrese, konferenca, kurse trajnimi, madje edhe për spektakle muzikore.

Ish-qyteza e ushtarakëve, krejt e braktisur, do të shndërrohej në një qendër administrative për të ofruar argëtim, gjallëri dhe jetë nate në ishull.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka kritikuar pozitën dhe opozitën për…