Osmani dhe Kurti u bëjnë thirrje qytetarëve t’i respektojnë rregullat e liberalizimit të vizave

22 dhjetor 2023 | 11:23

Qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024 do të mund të udhëtojnë pa viza në 27 shtete të Zonës Shengen deri në 90 ditë brenda periudhës prej 180 ditësh. Ky regjim, megjithatë, bart disa rregulla që duhet të ndiqen, në të kundërtën pason gjoba ose ndalesa e hyrjes. Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti të enjten u kanë bërë thirrje qytetarëve t’i respektojnë të gjitha rregullat që janë pjesë e sistemit të liberalizimit të vizave

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se viti 2023 nuk ka qenë aq i lehtë, pasi jemi përballur me sfida të fushave të ndryshme, nga ajo e sundimit të ligjit dhe deri te dinamika kërkuese në rrafshin e ekonomisë. Megjithatë, presidentja Osmani ka thënë se 2023-a ishte edhe vit i suksesshëm, pasi nga 1 janari 2024 në fund qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në Zonën Shengen.

“Ky ishte edhe vit me suksese të veta, duke filluar me faktin se që nga 1 janari më në fund qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza në Zonën Shengen. Kjo është një e arritur e institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht me të arriturat në fushën e sundimit të ligjit. Njëkohësisht e shfrytëzoj këtë mundësi që t’u bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i respektojnë të gjitha rregullat që janë pjesë e sistemit të liberalizimit të vizave”, ka theksuar Osmani, shkruan “Epoka e re”.

Ndërkaq në Prizren, kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrja e tretë Emilja Rexhepi dhe deputeti Enis Kervan u drejtuan qytetarëve, duke theksuar datën historike të 1 janarit, fillimin e udhëtimeve pa viza për Kosovën.

Edhe kryeministri Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm për rregullat e liberalizimit.

“Të dashur qytetarë, duhet të jemi të kujdesshëm për rregullat sepse liberalizimin duhet ta përdorni për kënaqësi e mundësi të reja e kurrsesi jo që udhëtimin ta shndërroni në vështirësi e kokëdhimbje sepse pasojat janë të mëdha”, ka thënë Kurti.

Udhëtimi pa viza u mundëson qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra si turist, por edhe të vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime biznesi, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.

Një qytetar mund të qëndrojë 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda Zonës Shengen. “Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes ditët e qëndrimit, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të kalojë totalin prej 90-ditësh brenda periudhës 180 ditore”, ka njoftuar Integrimi Evropian i Kosovës.

Për të udhëtuar pa vizë, kërkohen dokumente të rëndësishme si pasaportë biometrike, dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, rezervimin e vendit të qëndrimit, detajet e udhëtimit, dokumentet për veturën nëse udhëtoni me të, dhe dëshmi për mjete të mjaftueshme financiare. Megjithatë, liberalizimi i vizave nuk ju mundëson të punoni, ta ndiqni shkollimin ose të kryeni studime në zonën Shengen.

Shkeljet e rregullave apo abuzimi i kësaj të drejte mund të sjellin pasoja të rënda, duke përfshirë gjoba financiare, shënim në pasaportën tuaj dhe ndalim të hyrjes në Zonën Shengen deri në pesë vjet.

Si funksionon rregulli i tre muajve afat në pasaportë për të hyrë në Zonën Shengen?

“Për të hyrë në Zonën Shengen është e rëndësishme të keni pasaportë me afat të mjaftueshëm. Pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme për së paku tre muaj pas datës së planifikuar të largimit nga Zona Shengen. Për shembull, nëse planifikoni të hyni në zonën SHENGEN më 1 mars 2024 dhe deklaroni te policia kufitare se do të qëndroni deri më 15 mars 2024, atëherë pasaporta juaj duhet të jetë e vlefshme së paku deri më 15 qershor 2024, pra tre muaj pas datës së planifikuar të kthimit”, ka njoftuar Integrimi Evropian i Kosovës.

Institucionet e vendit kanë nisur një fushatë njëmujore në të gjitha komunat për t’i informuar qytetarët për procedurat e liberalizimit të vizave.

Qytetarët janë informuar mbi rregullat e lëvizjes pa viza përmes materialeve informuese dhe kuizit mbi integrimin evropian. Përveçse janë shpërndarë informata dhe dhurata, qytetarët kanë pasur mundësinë përmes kuisit, të bëhen pjesë e shorteut për udhëtimin e parë pa viza në Vjenë.

Fushata për informimin e qytetarëve do të vazhdojë ende përmes televizioneve, rrjeteve sociale dhe përditësimit të informatave në uebfaqen zyrtare të integrimit evropian. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se gjatë 24 orëve të…