Holanda do t’ia japë Ukrainës 18 avionë luftarakë ‘F-16’

22 dhjetor 2023 | 15:23

Holanda do t’ia dërgojë Ukrainës 18 avionë luftarakë “F-16”, për t’i ndihmuar në betejën kundër pushtimit rus, ka njoftuar qeveria holandeze, të premten.

“Sot kam informuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky për vendimin e qeverisë sonë për të përgatitur 18 avionët e parë luftarakë ‘F-16’ për dërgim në Ukrainë. Dërgimi i ‘F-16’-shave është një ndër elementet më të rëndësishme të marrëveshjeve të arritura për mbështetje ushtarake për Ukrainën”, ka shkruar ushtruesi i detyrës së kryeministrit, Mark Rutte në platformën sociale “X”.

Dërgimi i avionëve luftarakë ende varet nga aprovimi për eksportim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës, dhe nga përmbushja e kritereve për stafin dhe infrastrukturën në Ukrainë, ka shtuar Rutte, pa përmendur afate për këto vendime, raporton “Reuters”.

Por, njoftimi i ndihmës ka bërë të mundshëm rezervimin e fondeve dhe njerëzve për përgatitjen e avionëve për dërgim, ka thënë qeveria holandeze.

“Kam folur me Mark Rutten për ta falënderuar qeverinë holandeze për vendimin e saj për të filluar përgatitjen e 18 avionëve të parë ‘F-16’ për dërgim në Ukrainë”, ka shkruar Zelensky në “X”.

Holanda ka dërguar “F-16”-shin e parë, prodhim amerikan, në një qendër të re trajnimi për pilotët dhe stafin ukrainas, në Rumani, muajin e kaluar.

Danimarka, Norvegjia dhe Belgjika, po ashtu, kanë njoftuar se do t’i japin Ukrainës avionë “F-16”, pasi qeveria e Shteteve të Bashkuara ka aprovuar dërgimin e tyre që Kievi të mbrohet kundër Moskës, sapo të jetë përfunduar trajnimi i pilotëve.

Lufta e plotë e Rusisë në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk kanë munguar votat e shumta për golin më të…