Kurti dhe Nagavci ndajnë shpërblime për nxënësit fitues të garave vendore dhe ndërkombëtare

22 dhjetor 2023 | 16:05

Nxënësit fitues të garave në nivel vendi dhe atyre në nivel ndërkombëtar, u bashkuan të premten në një ceremoni kremtimi nën praninë e kryeministrit Albin Kurtit dhe ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të cilët i ndanë fituesve mirënjohje e shpërblime simbolike.

Duke vlerësuar të arriturat e të rinjve tanë, kryeministri Kurti tha se këtyre fitoreve u shtohet edhe më shumë vlera, duke qenë nga fushat e matematikës dhe fizikës. “Këto rezultate nga gara me bashkëmoshatarët tuaj nga vende të ndryshme të botës, janë dëshmi për potencialin që ju e keni. Andaj ushqejeni këtë potencial vazhdimisht e realizojeni plotësisht talentin, dhe imagjinatën, dhe kreativitetin tuaj”, u shpreh ai.

Që nga marrja e mandatit, e pandalshme mbetet mbështetja dhe angazhimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për nxënësit dhe studentët. Ndër hapat e ndërmarrë në këtë fushë, kryeministri veçoi arsimin dual në 12 profile, 21 shkolla e 14 komuna; arsimin falas në nivelin e lartë publik; si dhe ndarjen e bursave për notë mesatare të lartë, bursave të tjera për studime brenda dhe jashtë vendit, bursave për studentët e komuniteteve e ata me aftësi të kufizuara, si dhe bursave për vajzat në fushën STEM. “Në vitin 2023, në këtë vit në të cilin ngadalë po e përmbyllim në këto ditët e fundit të vitit, ndamë 1,647 bursa Bachelor dhe Master për studentët me notë të lartë mesatare; 1,882 bursa për vajzat që studiojnë në fushat STEM; 55 bursa për studentët e komuniteteve; 28 bursa për studentë me aftësi të kufizuara; 43 bursa për studentët e doktoratës që studiojnë jashtë në 500 universitetet më të mira; dhe 100 bursa për profilet deficitare”, ka thënë kryeministri.

Para nxënësve e prindërve, ai përmendi se hapat e tjerë në krijimin e kushteve optimale për mësim janë edhe miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, pra për edukim të obligueshëm e cilësor nga mosha 0-6 vjeç, dhe Projektligji për Tekste Shkollore ku përcaktohen normat dhe standardet për tekste të sakta dhe kompetente për nivelin parauniversitar.

Në anën tjetër, qeveria javën e kaluar miratoi buxhetin më të madh të arsimit që ka pasur Kosova ndonjëherë, me rreth 409 milionë euro, fakt që dëshmon prioritizimin dhe përkushtimin e pa kursyer për nxënësit në çdo fazë të jetës parashkollore, shkollore e universitare.

Ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve dhe shpërblimeve simbolike për fituesit e garave në nivel vendi dhe atë ndërkombëtar, u organizua nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
2023 ishte një vit fantastik për qendërmbrojtësin kuqezi Ardian Ismajlin,…