Përurohet fabrika për përpunimin e xhamit, pjesë e “Mabetex Group”-it

06 shtator 2018 | 15:08

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në përurimin e linjës së re të fabrikës së prodhimit dhe përpunimit të xhamit “M- technologie”, e cila bën pjesë në korporatën “Mabetex Group”, përurimin e së cilës e quajti si një nga veprat më të mëdha në vend.

Kjo fabrikë, sipas kryeministrit Haradinaj është një dimension krejtësisht ndryshe, dhe i një rëndësie tejet të veçantë për Kosovën.

“Sot po shohim një dimension krejt ndryshe të vendit tonë, një dimension që pak kush prej nesh në Kosovë e dinë që ekziston. Pra, po e shohim dimensionin më të madh të mundshëm të investimit në rajon”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur për rëndësinë e përurimit të kësaj fabrike, kryeministri Haradinaj, tha se ndihet i lumtur që merr pjesë në ngjarje të tilla të cilat hapin vende të reja pune dhe janë në hap me zhvillimet teknologjike në botë.

“Ju siguroj që sot jemi dëshmitar të veprës më të madhe prodhuese të një investitori të vendit tonë dhe jo vetëm kaq, nuk është vepra më e madhe, por edhe gjenerata më e fundit e teknologjisë për të prodhuar dyer e dritare, fasadë dhe çdo produkt tjetër”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se me këto produkte të prodhuara në Kosovë furnizohen shumë kompani me renome ndërkombëtare.

Ndërsa drejtori i kësaj fabrike, Rrustem Pacolli, ka thënë se ndihet i nderuar me pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmëve sot, në një ditë shumë të rëndësishme për familjen e tij, por edhe Kosovën.

“Jemi mirënjohës për të gjithë ata që kanë qenë me ne në çdo rrugë dhe kanë kontribuar që të arrihet deri këtu. Kjo shënon kulminacionin e një rruge të nisur dhjetë vjet më parë. Rruga deri këtu ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, dhe më së miri e di familja ime”, ka thënë Pacolli.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, ministra, deputetë, si dhe përfaqësues të kompanive të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria për Punë të Jashtme e Kosovës ka miratuar kërkesën…