Ymeri: Është urgjente që në Kuvend të kthehet vendimmarrja

06 shtator 2018 | 21:12

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, ka reaguar për zhvillimet e fundit politik në vend.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se është urgjente që në Kuvend të Republikës të kthehet vendimmarrja.

“Përndryshe mësyerja e Thaçit në dialog pa kurrfarë mandati ia cenon Republikës karakterin e saj parlamentar, e pazaret e tij me Vuçiqin po rrezikojnë t’ia cenojnë integritetin territorial”, ka shkruar Ymeri.  

Postimi i plotë i tij:

Është urgjente që në Kuvend të Republikës të kthehet vendimmarrja. Është e rëndësisë jetike,  dhe kogja urgjente, që Kuvendi i Republikës ta marrë përsipër mbrojtjen e saj. Përndryshe mësyerja e Thaçit në dialog pa kurrfarë mandati ia cenon Republikës karakterin e saj parlamentar, e pazaret e tij me Vuçiqin po rrezikojnë t’ia cenojnë integritetin territorial.  

Platforma shtetërore për dialog nuk mund të miratohet ndryshe përveç se me 2/3 e deputetëve. Një votë e tillë do t’i jepte asaj legjitimitet demokratik ndërsa Republikës siguri nga dhe në dialog. Kjo Platformë shtetërore duhet ta përmbajë synimin dhe interesin kryesor për shtetin tonë e që është njohja e pakusht dhe e plotë e pavarësisë së Republikës nga Serbia, dhe të ravijëzojë mekanizmat strategjik negociues e elementet përbërës të marrëdhënieve mes dy shteteve të bazuara në parimet e respektit reciprok të sovranitetit e kufijve ndërkombëtar si dhe në parimet e fqinjësisë së mirë. Së dyti përmes platformës të gjitha forcat politike do të zotoheshin që do të angazhohen në ruajtjen e karakterit unitar të Republikës sonë dhe barazisë së të gjithë qytetarëve.

Po me 2/3 e deputetëve duhet të mandatohet ekipi negociator i cili ekskluzivisht do ta përfaqësonte Republikën e Kosovës në dialog, përgjegjës për t’i zbatuar parimet udhërrëfyese të Platformës dhe i obliguar të negociojë vetëm brenda saj. Ky Ekip negociator i mandatuar nga Kuvendi i përgjigjet vetëm atij, negocion në mënyrë transparente dhe mbikëqyret nga Kuvendi në secilën fazë të dialogut përmes mekanizmave të krijuar enkas për këtë mbikëqyrje.

Kështu Kuvendi do ta kishte mundësinë e pakontestueshme që të sigurohet se dialogu me Serbinë nuk e rrezikon Republikën dhe që përdoret për t’ia avancuar të drejtat dhe interesat asaj. Ndryshe, sido ndryshe, rrezikojmë shumë e nuk fitojmë asgjë.

E pastaj edhe mund të vendosim kush kë e ‘sosë’ në boks.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike,…