Mblidhen mbi 18 mijë paund për ta sjellë trupin e shqiptarit në atdhe

04 janar 2024 | 08:31

Motra e shqiptarit që vdiq në anijen Bibby Stockholm ka falënderuar publikun pasi një apel për mbledhjen e fondeve për riatdhesimin e trupit të tij gati dyfishoi objektivin e saj prej 10,000 paundësh.

Leonard Farruku, 27 vjeç, u gjet pa jetë në bordin e anijes në Portland Port, Dorset, më 12 dhjetor.

Motra e tij, Jola Dushku, tha se familja u përball me “tragjedinë e dyfishtë” të vdekjes së tij dhe të pamundësisë për të sjellë trupin e tij në shtëpi për një varrim.

Por një faqe GoFundMe që ajo krijoi ka mbledhur më shumë se 18,000 £. Zonja Dushku tha se “bujaria” ishte “një demonstrim i fortë i humanizmit të njerëzve në MB”.

Një hetim sqaroi më parë se nuk kishte rrethana të dyshimta në lidhje me vdekjen dhe çështja u shty për një seancë të plotë në një datë të mëvonshme.

Trupi i zotit Farruku ka mbetur në një morg në Dorset, shkruan BBC.

Në faqen e mbledhjes së fondeve, të krijuar të martën, zonja Dushku tha se jeta e vëllait të saj “përfundoi në mënyrë të paimagjinueshme për të gjithë ndërsa ishte në MB”.

Pasi kaloi objektivin fillestar, ajo postoi të mërkurën: “Nuk mund të falënderoj sa duhet të gjithë njerëzit nga Britania e Madhe, komuniteti shqiptar në MB dhe të gjithë shqiptarët në mbarë botën për bujarinë e tyre që na ndihmuan për të siguruar paratë e nevojshme… për të sjellë në shtëpi trupin e vëllait tim”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në orën 09:10, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa…