Pritjet e gjata në Merdarë, autoritetet kosovare akuzojnë palën serbe për neglizhencë

06 janar 2024 | 19:27
Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka akuzuar palën serbe në kontrollin kufitar për pritjet e gjata të qytetarëve kosovarë në Merdarë.

Në këtë pikë kufitare qytetarët e Kosovës po presin me orë të tëra për të dalë nga Kosova.

E gjithë kjo sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, pasi pala serbe është duke punuar vetëm me dy zyrtarë policorë.

“Ju njoftojmë se pritjet në dalje për në Serbi ne PKK Merdarë janë deri në 7 orë dhe kolona 4 kilometra e gjatë. Kjo për neglizhencën e palës serbe në kontrollin kufitar. Pala serbe është duke punuar vetëm me dy zyrtarë policorë, njëri po merret me një korsi të autobusëve ndërsa tjetri me katër korsi të veturave”.

“Nga këto të dhëna besojmë se e kuptoni se si është gjendja dhe ku qëndron pengesa”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, bëhet e ditur se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë autoritetet e Kosovës janë duke bërë çmos që të ndikojnë te pala serbe që të rrisë kapacitetet dhe të mundësojë qarkullim më të shpejtë.

“Ju falënderojmë për bashkëpunim! Rrugë të mbarë!”.

Lidhur me këtë situatë ka reaguar edhe Policia e Kosovës, e cila përmes një njoftimi ka thënë se sipas planifikimeve të saja, me kohë ka ndërmarrë masat e nevojshme duke angazhuar personel të mjaftueshëm, me qëllim të përshpejtimit dhe lehtësimit të qarkullimit kufitar.

“Edhe përkundër angazhimit të personelit të mjaftueshëm dhe punës me disa korsi në dalje të RKS-së, pritjet janë me kohëzgjatje të madhe deri apo edhe mbi 7 orë, për shkak të procedurave, kapaciteteve të vogla dhe punës së ngadalësuar të palës serbe”.

Policia ka njoftuar se e ka adresuar këtë shqetësim edhe te mekanizmat ndërkombëtarë, ku ka kërkuar që të rriten kapacitetet dhe përshpejtohet puna nga pala serbe, në mënyrë që të shmangen pritjet e gjata dhe t’u mundësohet qytetarëve kalimi më i shpejt kufitar.

“Njëkohësisht ne inkurajojmë të gjithë ata persona që shfrytëzojnë Pikë Kalimet Kufitare, në këtë periudhë për dalje nga Republika e Kosovës të përdorin edhe alternativa (pika tjera kufitare), ku fluksi është me i vogël, në mënyrë që t’iu shmangen pritjeve dhe kolonave eventuale”, vijon njoftimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka…