Ish-ushtari i UÇK-së po mbahet në paraburgim në Beograd, të martën del para gjykatës

07 janar 2024 | 15:02

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hasan Dakaj është arrestuar mëngjesin e së premtes nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar në Merdarë.

Avokati i tij, Xhevdet Smakiqi, ka thënë se informatat e fundit që i ka janë se tashmë Dakaj është dërguar nga Qendra e Ndalimit në Kushumli në Qendrën Kryesore të Paraburgimit në Beograd, në rrugën Bacvanska.

“Informatat e fundit për rastin e arrestimit e Hasan Dakaj që i kam marrë janë se tashmë ztr. Hasan Dakaj është dërguar nga Qendra e Ndalimit ne Kushumli në qendrën kryesore te paraburgimit ne Beograd, në rrugën ‘Baçvanska’”, ka thënë ai.

Sipas Smakiqit, Prokuroria e Serbisë pretendon se ai në vitin 1999 ka kryer krime lufte.

“Pjesëtari i UÇK-së, Hasan Dakaj pretendohet nga prokuroria serbe  se kinse  ai në vitin 1999 ka kryer krime lufte si 19-vjeçar. Sipas detyrës zyrtare Hasan Dakaj i është caktuar një avokat nga Serbia, ku në intervistimin para prokurorit serb Hasan Dakaj është deklaruar i pafajshëm edhe për faktin se fare nuk ka qenë në ato lokacione sipas dyshimeve te prokurorisë se Serbisë dhe se është ngatërruar në identitet me dikë tjetër”, ka thënë ai.

Smakiqi ka bërë të ditur se të martën do të mbahet seanca dëgjimore lidhur me kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti, ministres Donika Gërvalla dhe diplomatëve që të bëjnë presion që Dakaj të lirohet sa më shpejtë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Javën e ardhshme në vendin tonë do të mbajë mot…