![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2019/11/gripi.jpg)
Mbi 300 pacientë brenda ditës kërkojnë ndihmë mjekësore në QKMF-të e Prishtinës
Të gjithë një nga një po presin të marrin një numër në sportel.
Rendi është i gjatë, e shërbimi të cilin këta pacient po kërkojnë te Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë është pothuajse i njëjtë.
Një virozë sezonale është bërë shkas që këta persona pa dallim moshe të kërkojnë ndihmë mjekësore.
“Pak pa qef, një fyt pom dhemb, nifar gripi i keq po thonë. Erdha e mora një njeksi. Nuk na ra me prit shumë, nja pesë minuta”, tha Rasim Gërbeshi, banor i Prishtinës.
“Qiky virus, me gjithëse nuk shkoj shumë te mjeku, erdha mi marr do hapa, se që katër ditë jom me ketë grip”, tha Drita Azemi, banore e Prishtinës.
Mbi 300 persona në ditë po kërkojnë ndihmën e stafit mjekësor për ta tejkaluar këtë viroz.
“Kemi prej 200 deri në 250 vizita, tashmë këto shifra e tejkalojnë 300 brenda ditës, kur i ndajmë në proporcjonë më numrin e vizitave për mjekë, janë mbingarkesë për mjekun sepse dyfishohet numri për vizita”, tha Bujar Gashi, drejtor i QKMF-së në Prishtinë.
Ky virus, sipas specialistëve mjekësorë, po dallon nga viruset e tjerë, pasi që kohëzgjatja e tij është më shumë se shtatë ditë.
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë janë bërë edhe testime për Covid-19 por që, sipas udhëheqësve të qendrës, deri tash nuk ka ndonjë pacient që ka dalë pozitiv.