Xhavit Haliti tregon se nga cilët faktorë varet liberalizimi i vizave për në ShBA

11 janar 2024 | 23:45

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti thotë se liberalizimi i vizave është shtyrë 3-4 vjet për fajin e partisë në pushtet, Vetëvendosje.

Haliti në një prononcim për Blic thekson se, pa marrë parasysh çka, liberalizimi i vizave është një e arritur e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Mendoj që heqja e vizave dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave është vizion perëndimor. Kosova ka qenë e angazhuar për më shumë se dy dekada për udhëtimin pa viza në BE. Veçanarisht nënshkrimi i marrëveshjes së MSA dhe në veçanti miratimi i ligjeve që burojnë nga kjo marrëveshje, kanë përafruar raportet BE-Kosovë”, tha Haliti.

“Unë mendoj se liberalizimi i vizave është shtyrë për më shumë se 3-4 vjet për fajin e vandalizmave politike që VV’ja ka bërë. Sidoqoftë kjo është një e arritur e madhe për Kosovën dhe qytetarët e saj”, shtoi tutje Haliti.

Por, Haliti për heqjen e vizave për të udhëtuar drejt ShBA-së thotë se është skeptik se një gjë e tillë mund të ndodhë, të paktën këto vite.

“Jam më skeptik, sepse ShBA-ja janë më të kujdesshëm dhe më konzervativë për shumë arsye. Në rend të parë, lufta kundër terrorizmi dhe krimit të organizuar në rang botëror. Shumë vende edhe pse janë anëtarë të NATO-s, nuk e kanë privilegjin e udhëtimit në ShBA pa viza, madje edhe shtetasit e BE-së kanë një kusht që duhet plotësuar përmes njoftimi të zyres së migracionit që do të udhëtojnë në ShBA. Këto masa janë vendosur pas sulmeve të 11 shtatorit”, tha Haliti.

Haliti thotë se në këtë situatë që jemi, Qeveria e Kosovës duhet të përqendrohet në zhvillim ekonomik dhe në punësimin e të rinjvë, në mënyrë që këta të fundit të shkojnë jashtë vendit vetëm si turist.

“Në ShBA, 90% e atyre që kanë shkuar kanë mbetur aty. Kosova nuk duhet të zbrazet, por sa i përket udhëtimeve në ShBA për çështje pune, shkollimi e turizimi qytetarët e Kosovës kanë qenë më të priveligjuar”, shtoi ai.

“Edhe për një periudhë kohore nuk e besoj që do të ketë liberalizim vizash për ShBA e as për Britani të Madhe. Varet shumë nga zhvillimi ekonomik i Kosovës, rritja e vetëdijes, se duhet të punojmë e jetojmë në Kosovë sepse ky është vendi ynë. Urojë që studentëve ekselent nga Kosova, të ju mundësohet shkollimi në ShBA, Britani të Madhe e BE”, tha Haliti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëkryetari i Partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se nuk…