Serbët kundërshtojnë ndërtimin e stacionit të policisë në Mitrovicë që s’ka plan të ndërtohet

13 janar 2024 | 20:49

Qytetarë serbë kanë filluar të nënshkruajnë një peticion për parandalimin e ndërtimit, siç thonë ata, të një baze të policisë në Mitrovicë të Veriut. Mirëpo, Institucionet e Kosovës thonë se Policia nuk ka kurrfarë plani për të ndërtuar ndonjë bazë apo stacion të ri siç pretendojnë qytetarët, por Qendër Trajnuese për marrjen e patentë shoferëve.

Një qëllim i ka mbledhur në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut.

Partia politike që ka emrin “Demokracia Serbe” ka dalë të shtunën që të mbledhë nënshkrime nga qytetarët për të kundërshtuar marrjen e një parcele nën pronësi nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Udhëheqësi i kësaj partie pretendon se hapësira prej 27 mijë metrash katrorë do të shndërrohet në bazë të Policisë.

“Po tentohet të ndërtohet një bazë e policisë, e njësive speciale të armatosura, të strukturave mono etnike, siç i kemi tani në veri dhe kemi kuptuar se ato në të kaluarën ishin problem serioz për popullatën tonë dhe këtë herë duan që të na i vendosin në qendër të qytetit. Mendoj se nuk e kanë vendin këtu dhe mendoj se qytetarët tanë nuk kanë për ta mbështetur këtë”, ka deklaruar Aleksandër Arsinjeviq nga partia “Demokracia Serbe”.

Por, një gjë të tillë e mohon zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

Ai thotë se nuk kanë plane të tilla.

“Stacion të Policisë nuk ka, ne jemi në këtë ndërtesën këtu. Ka mundësi që ndërrojmë lokacion ose diçka e tillë mirëpo për atë vend jo, nuk është planifikuar të ketë stacion policor”, ka thënë Veton Elshani – Zv.Drejtor i Policisë, Mitrovicë e Veriut.

Parcela në fjalë që është nën posedimin e MPB-së po planifikohet të përdoret për krejt diçka tjetër.

“Në atë vend do të ketë një qendër regjionale për trajnimin për patentë shofer, tash ajo zonë është e MPB-së dhe tash e shohim më tutje se si zhvillohet situata”, vijoi ai.

Pos të shtunës, qytetarët e komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut është paralajmëruar se do të nënshkruajnë peticionin edhe gjatë së dielës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 4.3 milionë njerëz që nuk janë shtetas të Bashkimit…