Avokati serb: Vuçiqi është fëmijë i Sheshelit dhe njeri i Putinit

19 janar 2024 | 08:05

Avokati serb Çedomir Stojkoviq ka hedhur akuza të rënda për presidentin e vendit të tij, Aleksandër Vuçiq.

Ai në “Debat Plus” tha se Vuçiqi është “fëmijë politik” i Vojslav Sheshelit dhe njeri besnik i Rusisë së Putinit.

“Vuçiqi është fëmijë i Sheshelit… në Serbi. Vuçiqi i është ofruar shërbimit informativ të federatës ruse. Para disa viteve Putini i ka ndarë medalje Vuçiqit. Sipas ligjeve të federatës ruse, kjo medalje mund të jepet vetëm pas 20 vjetëve kontribut për Rusinë. Vuçiqi e ka plotësuar këtë kush të Rusisë, që i bie se ai 20 vjet më herët ka qenë njeri i Rusisë, i Putinit, i KGB-së”, tha ai.

Tutje ai tha se Vuçiqi ka shpresuar që Rusia të ketë sukses në Ukrainë, në mënyrë që ta ketë pastaj të lehtë të hyjë me ushtri në Kosovë.

Stojkoviq në “Debat Plus” ka deklaruar se klienti i tij, Nikolla Sanduloviq, i ka treguar se në torturimin e tij kanë marrë pjesë serbë lokalë të Kosovës.

Ai tha se Sanduloviqi do të flasë vetë për këtë çështje por, sipas informatave që ai ia ka dhënë, pjesë e torturimit të tij mund të ketë qenë edhe Millan Radojçiq.

“Sanduloviq më ka thënë se, sipas theksit të njerëzve, ka njohur serbë të Kosovës. Këta janë serbë të cilët janë klane që udhëheq Radojçiqi. I ka identifikuar disa, disa i ka njohur, këtë do ta thotë ai.

Disa i ka njohur, disa nuk kanë mbajtur maska, të tjerët kishin. Besoj se kur do të shërohet do të shpalosë fakte për këtë. Edhe unë i njoh, por mendoj se ai duhet t’i shpalosë.

Sipas asaj që më ka thënë Sanduloviqi, kjo dërgon te ai [Radojçiqi]”, tha ai.

Sanduloviqi ishte rrahur dhe arrestuar nga BIA serbe për shkak se bëri homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz.

Edhe avokati i tij dje ka bërë homazhe te varri i Blerina Jasharit në Prekaz.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atletico Madrid është kualifikuar për në çerekfinalen e Kupës së…