Nis peticioni për shkarkimin e kryetarëve në Zveçan dhe Zubin Potok

19 janar 2024 | 11:02

Në Zveçan dhe Zubin Potok ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në këto dy komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Dushan Vuksanoviq, anëtar i grupit nismëtar për inicimin e peticionit në Zveçan, tha se mbledhja e nënshkrimeve për peticionin ka nisur mëngjesin e 19 janarit, duke shtuar se pret që brenda afatit të caktuar kohor të mblidhen nënshkrimet e nevojshme.

Siç raporton ekipi i “Radios Evropa e Lirë”, në Zveçan është parë një numër i madh i qytetarëve duke nënshkruar peticionin, në mesin e tyre edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.

Ngjashëm, me organizimin dhe nën udhëheqjen e Listës Serbe, më 17 janar ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë edhe në dy komunat e tjera në veri, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

Që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen së paku 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Kjo nënkupton se në Zubin Potok duhet të mblidhen 1 347 nënshkrime, ndërkaq peticionin në Zveçan duhet ta nënshkruajnë 1 411. Në Mitrovicë të Veriut kërkohen të paktën 3 640 nënshkrime dhe në Leposaviq 2 689.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, javën e kaluar ka deklaruar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat që deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e nevojshme për peticionin.

Ai ka thënë se afati për qytetarët e Zveçanit është më i gjatë për pesë ditë, për shkak se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është dorëzuar më vonë kërkesa për listën me numrin e saktë të votuesve të regjistruar në këtë komunë.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës po mbahet në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Serbët kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit të kaluar, në të cilat u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë. Nisja e mandatit të tyre në fund të majit, rriti tensionet në veriun e Kosovës.

Më pas, komuniteti ndërkombëtar kërkoi shtensionimin e tensioneve dhe bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Nëse KQZ-ja konfirmon se peticioni ka qenë i suksesshëm, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarëve. Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Më pas, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që të shpallë zgjedhjet e parakohshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Minnesota vijon të jetë surpriza e këtij sezoni në NBA,…