“Kemi katërfishuar trupat në Veri dhe trefishuar patrullimet në kufi, jemi gati”, thotë komandanti i KFOR-it

22 janar 2024 | 22:22

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR-i) është gati t’i përgjigjet çfarëdo kërcënimi, ka thënë komandanti i forcave të KFOR-it, turku Ozkan Ulutas, në një intervistë të tij për mediumin Anadolu.

“KFOR-i vazhdon të bëjë me të mirën e vet për të ofruar ambient të qetë dhe të sigurt për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Ulutas.

Turqia mori komandën e KFOR-it në tetorin e vitit të kaluar, me Ulutas që përmes ceremonisë u zyrtarizua udhëheqës i kësaj trupe si komandant i përgjithshëm.

“KFOR-i ka ofruar ambient të sigurt për të gjitha komunitetet tash e 25 vjet. Do të vazhdojnë kështu edhe në vitin 2024. Do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar tensionet nga eskalimi eventual dhe dëshiroj t’i siguroj të gjithë se jemi gati për t’iu përgjigjur çfarëdo kërcënimi”, deklaroi ai.

“Siç e ka thënë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, stabiliteti varet nga të gjitha palët që zgjedhin diplomacinë në vend të konfliktit. Ne do të vazhdojmë ta mbështesim dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë duke ofruar ambient të sigurt për progresin e përpjekjeve diplomatike. Kjo është rruga e vetme”, pohoi Ulutas.

Sa i përket kohëzgjatjes së misionit të KFOR-it, ai tha se do të jetë në Kosovë për aq gjatë sa të ketë nevojë.

Komandanti i KFOR-it ka folur edhe për shtimin e forcave, prezencës dhe patrullimit nga shtatori i vitit të kaluar, kur në fashitin Banjë të Zveçanit një grup i armatosur – i mbështetur nga Serbia – provoi përmes sulmit terrorist të uzurpojë një pjesë të territorit në Veri të Kosovës.

“KFOR-i ka shtuar me disa qindra prezencën për shkak të tensioneve në rritje. Kemi katërfishuar trupat në veri dhe trefishuar patrullimet, përfshirë pjesën e kufirit”.

KFOR-i e ka filluar angazhimin në Kosovë me 12 qershor 1999, sipas vendimit të Këshillit të Sigurimit përmes rezolutës 1244 dhe kjo është hera e parë që udhëhiqet nga një komandant nga Turqia.

Misioni aktualisht ka më shumë se 4 mijë e 500 trupa ndërkombëtare nga 27 shtete, përfshirë 21 anëtarë të NATO-s dhe gjashtë shtete partnere të NATO-s.

Në mesin e këtyre shteteve Turqia ka kontingjentin e dytë më të madh, prej 780 trupave.

Ulutas është komandanti i 28 i KFOR-it me radhë dhe do ta përfundojë misionin me 10 tetor të këtij viti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Izraeli i ka dhënë Hamasit një propozim përmes ndërmjetësuesve të…