Hyseni emërohet drejtor sportiv i FC Ferizaj

23 janar 2024 | 11:59

Genc Hyseni është emëruar zyrtarisht drejtor Sportiv i FC Ferizaj. Ish-sulmuesi Hyseni është një figurë e njohur dhe respektuar në gjithë komunitetin sportiv në Kosovë.

“FC Ferizaj ka kënaqësi të ju njoftoj se pas negociatave të zhvilluara javën e kaluar, ku ishte i përfshirë direkt edhe vet presidenti i klubit, Lulzim Abazi, Genc Hyseni është emëruar zyrtarisht Drejtor Sportiv i FC Ferizaj. Hyseni është një figurë e njohur dhe respektuar në gjithë komunitetin sportiv në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Ferizajt.

Hapat e parë në karrierën me shumë suksese, Genci i ka filluar pikërisht në klubin e Ferizajt. Për të vazhduar pastaj në ligën e Maqedonisë së Veriut, atë kohë e rrallë për një futbollist nga ligat e Kosovës. Genci si futbollist është paraqitur në Renovë, Teteks, Shkëndijë, Rabotniçki dhe Bregalnica Stip, të gjitha këto klube në elitën e futbollit maqedonas. Një sukses i shënuar dhe i rëndësishëm në karrierën e Genc Hysenit është edhe transferimi i tij në KF Gramozi, në Shqipëri. Atë botë, Gramozi kishte mbledhur lojtarët më të mirë nga i gjithë rajoni. Përveç tjerash, Hyseni ka luajtur edhe në ligën e Qipros, duke mbrojtur ngjyrat e FC Ethnikos. Kurse si drejtor Sportiv, Genc Hyseni ka karrierë të dëshmuar, duke ngritur ekipe nga ligat më të ulëta e deri në nivele më të larta garuese. Në të kaluarën ai ka qenë drejtor edhe në skuadrën e Ferizajt, duke e ngritur këtë klub në një ekip konkurrues në Superligën e Kosovës.

“FC Ferizaj është i lumtur që figura të rëndësishme të qytetit po i bashkohen karvanit të klubit. Bashkë me Gencin si drejtor dhe gjithë të tjerët, po synojmë ta ngrisim Ferizajn në nivele të larta të profesionalizmit. Ne nuk kemi kufizime në ambiciet tona. Ne dëshirojmë që hap pas hapi të ngritemi deri aty ku e kemi vendin. Superliga dhe dalja në Evropë nuk janë dëshira, por mision i përditshëm i yni, deri në realizimin e plotë të këtij misioni”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e klubit ferizajas.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lekë Prenaj, shpall të pavlefshme certifikatën e provimit të Jurisprudencës…