Challandesi dhe Ujkani flasin për ndeshjen ndaj Ishujve Faroe
Përzgjedhësi i Kombëtares A, Bernard Challandes dhe kapiteni Samir Ujkani në konferencën për media i janë përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve të gazetarëve.
Fillimisht Samir Ujkani ka thënë se: “Kemi pritur me padurim të luajmë para adhuruesve tanë dhe ne do të angazhohemi maksimalisht për dy arsye të fitojmë ndeshjen dhe ta realizojmë dëshirën e ish-presidentit Fadil Vokrri. Ishte një ndjenjë e mirë kur dëgjuam se tashmë janë shitur të gjitha biletat për pak orë, Kjo na gëzon, por dhe na vë në presion. Unë besojë që do të i gëzojmë adhuruesit dhe popullin e Kosovës, ky vend ka kaluar nëpër shumë sakrifica e mundime të mëdha ndaj e kemi borxh të angazhohemi e të japim kontributin drejt fitores. Jemi ndeshur me Ishujt Faroe para dy viteve në ndeshje miqësore por tash është ndryshe po takohemi në ndeshje kualifikuese, ndaj edhe duhet tjetër angazhim”.
Ndërkaq, përzgjedhësi Bernard Challandes ka thënë se: “Ne ishim në Azerbajxhan dhe nuk jam shumë i kënaqur me lojën, ndërsa Ishujt Faroe fituan në shtëpi dhe patën një lojë të mirë. Tash duhet të luajmë më shumë në sulm por mendojë se nuk duhet harruar as mbrojtjen. Kosova siç kam thënë disa herë e ka një ekip të mirë dhe shumë të ri. Do të kërkojë nga futbollistët të angazhohen në maksimum, por nuk u them se gjithsesi duhet të fitoni sepse luajmë para publikut në Prishtinë”.