Berisha prezantohet te Petrolul Ploiesti

05 shkurt 2024 | 12:07

Tashme është zyrtare, Albin Berisha e ka bërë hapin e madh duke u transferuar në elitën e futbollit të Rumanisë nga Superliga e Kosovës.

Sulmuesi që djersiti me sukses fanellën e Ballkanit ka nënshkruar kontratë dhe është prezantuar në skuadrën e Petrolul Ploiesti. “Mirë se erdhe Albin Berisha! FC Petrolul Ploiesti ka arritur marrëveshje me FC Ballkani për transferimin e kosovarit Albin Berisha!”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e klubit rumun.

Ky klub gjithashtu në prezantimin e 23-vjeçarit ka cekur se Berisha ka fituar dy tituj kampion në Kosovë dhe një Superkupë.

Pas zyrtarizimit të Berishës në klubin e ri ka reaguar edhe skuadra e Ballkanit. Kampionët e elitës kosovare i kanë uruar shumë suksese Berishës në sfidën e re, derisa janë shprehur krenarë se po arrijnë të ngritin formimin e futbollistëve.

“Qendërsulmuesi Albin Berisha është transferuar te ekipi Petrolul 52 në Poliesti të Rumanisë. Për djaloshin shembullor që dha shumë për skuadrën tonë, tani nis një etapë e re, në të cilën ne i urojmë sa më shumë suksese. FC Ballkani vazhdon të jetë adresa e formimit profesional të futbollistëve tanë, për të cilët në vazhdimësi krijojmë mundësi të reja”, thuhet në postimin e skuadrës nga Suhareka.

 

 

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla,…