Tentim-atentati ndaj Kurtit, reagon Ismaili: Plasimi i lajmeve të tilla pa vërtetësinë e duhur, ndjellakeqe për shoqërinë

11 shkurt 2024 | 12:09

Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Ismaili, ka reaguar në lidhje me raportimet djeshme se ka pasur një tentim atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shkup.

Ajo ka shkruar në “Facebook” se lajmet për plane për vrasje të politikanëve janë shqetësuese për të.

“Qoftë edhe si lajme të rrejshme, mua si Besë më shqetësojnë!”, ka shkruar ajo.

“Unë, si edhe shumë nga ata që i njoh, nuk e duroj as të dëgjoj, as të shoh e të lexoj për këto tema, përpos në platforma si Netflix! Konsideroj që është jetike që institucionet tona me urgjencë të vlerësojnë kredibilitetin e informacionit të paraqitur në media në lidhje me këto pretendimet e sotme në raport me kryeministrin e Kosovës dhe vizitën në Shkup! Plasimi i lajmeve të tilla, pa qartësinë dhe vërtetësinë e duhur janë ndjellakeqe për shoqërinë. Të vërteta apo të rrejshme, pa paragjykim nga ana ime, ato përhapin dyshim, frikë, armiqësi dhe paragjykime”, ka shkruar ish-deputetja Ismaili.

Ajo ka thënë se institucionet e shtetit dhe mediet duhet të kenë kujdesin e duhur në trajtimin e tyre.

“Kur institucionet shtetërore të sigurisë bëjnë punët e tyre siç duhet, qytetari kursehet nga lajmet të tilla. Kosova duhet të ndërpresë spiralen e instrumentalizimit dhe profiterizimit politik me temën e vrasjeve dhe tentimvrasjeve të individëve, që për së paku këto tri dekadat e fundit kanë ulçerozur tejmase shpirtin e shoqërisë tonë. Mjaft është mjaft”, ka shkruar Ismaili.

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka theksuar se gjatë vizitës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në Shkup, nuk ka pasur asnjë tentim për atentat ndaj tij.

“Sa i përket sigurisë gjatë vizitës së kryeministrit Kurti, ajo është e organizuar sipas rregullave të paracaktuara dhe vlerësimeve të sigurisë”, ka thënë zëdhënësi i MPB-së Toni Angellovski.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grafite të reja janë shkruar në disa mure në veri…