‘Zemër, ke dështu!’, Rinia e LDK-së me performancë simbolike ia uron qeverisë 14 shkurtin

14 shkurt 2024 | 10:31

Forumi i Rinisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka zhvilluar të mërkurën një aksion simbolik para ndërtesës së qeverisë.

Një performancë artistike me një zemër që simbolizon 14 shkurtin – Ditën e të Dashuruarve, të rinjtë e LDK-së kanë shkruar: “Zemër, ke dështu!”.

Ata kanë shpërndarë edhe fletushka në formë të zemrës për qytetarët, në të cilat është shkruar: “Me zemrën në darkë, për zemër jashtë vendit”, “Zemra të mban gjallë, por t’lëshon kur të vjen fatura”, “Zemrën plot, kuletën thatë”, etj.

Me këtë rast, kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, Paris Guri, ka thënë se aksioni i tyre ka për qëllim t’ia përkujtojnë qeverisë që po u përfundon mandati “me dështime në çdo fushë”, raporton “EO”.

“Sot në Ditën e të Dashuruarve, jemi mbledhur këtu me një aksion simbolik për t’ia rikujtuar qeverise se po u përfundon mandati me dështime në përmirësimin e jetës së qytetareve në Kosove në çdo fushë. Në vitin e saj të katërt, kjo qeveri po vazhdon me dështime në arsim, në shëndetësi, në ekonomi, në marrëdhënie ndërkombëtare, në ngritjen e mirëqenies së qytetareve, në energji, dhe në secilën sferë tjetër. Të rinjtë e vendit tonë, ashtu si secili qytetarë i Kosovës, janë duke u përballur me një depresion kolektiv të shkaktuar nga popullistët të cilët kanë braktisur gjithçka, përfshirë edhe shtresën me vitale të shoqërisë sonë, rininë”.

“Problemet me të cilat ballafaqohemi sot, nga shtrenjtimi i produkteve bazike për jetesë dhe i energjisë elektrike, deri tek dështimet e njëpasnjëshme në arsim e shëndetësi që shpërfaqen me debaklin në testin PISA, me listat e gjata të pritjes në spitalet tona dhe me qytetarët që duhet të udhëtojnë për trajtim jashtë vendit, po e bëjnë jetën tonë këtu te papërballueshme”, ka thënë Guri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, në…